Botë
“Skuqen” institucionet në Kosovë, protestë në Prishtinë kundër dhunës seksuale
31.08.2022 15:18
Godinat e Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit dhe Policisë së Kosovës...

Godinat e Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit dhe Policisë së Kosovës, janë ngjyrosur me bojë të kuqe nga protestuesit që u mblodhën për të dytën ditë në Prishtinë, të indinjuar pas ngjarjes së rëndë të ditëve më parë, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga 5 djem. Protestuesit kërkojnë nga shteti më shumë mbrojtje dhe siguri për vajzat dhe gratë dhe dënime meritore për të gjithë dhunuesit.
“Boll më, nuk durojmë”, “Pedofilët në burg”, “Poshtë patriarkati”, “Poshtë përdhunuesit”, “Nuk kanë dështuar nënat, ka dështuar shteti”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve. Në duart e tyre ishin edhe fotografitë me emrat e pesë personave që dyshohet se dhunuan 11-vjeçaren.
“Rasti i përdhunimit të vajzës është alarm për të gjithë ne, e pikë së pari për shtetin e i cili edhe sot vazhdon të jetë në anën e dhunuesve. Është pikërisht ky sistem patriarkal me të gjitha patericat e veta, ai i cili është duke prodhuar vazhdimisht përdhunues. Në këtë shtet vajzat e vogla abuzohen në shtëpi, në shkolla, rrugë e sheshe, parqe, institucione publike e private. Ne nuk mund të tolerojmë që të shpallet fundi i jetës së vajzave të cilat kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale, përkundrazi, ne kthejmë gishtin kah shteti për të paralajmëruar që durimit tonë paqësor po i vjen fundi.”,- tha një protestuese.
Pasi njëri nga të dyshuarit ka qenë në mbajtje për disa vepra penale, si akt moral ka dhënë dorëheqje drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi. Menjëherë pas bërjes publike të rastit, dorëheqje dha edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
BELINDA KOKA ADEMI
