Maqedoni
Viti i ri shkollor, Shaqiri: Librat do të sigurohen nga dita e parë
31.08.2022 15:36
Ministria e Arsimit dhe Shkencës siguron se viti i ri shkollor do të nis pa probleme....

Ministria e Arsimit dhe Shkencës siguron se viti i ri shkollor do të nis pa probleme. Nxënësit që nga dita e parë do të kenë tekstet shkollore, njofton ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri, i cili ftoi drejtorët e shkollave që të marrin materialet në komunat ku gravitojnë.
“Kemi përgatitur material për të mësuar që paraqesin materiale për tre mujorin e parë. Sot përfundon shpërndarja e tyre nëpër shkolla, ndërsa gjithashtu edhe shpërndarja e teksteve shkollore për të gjitha klasat e tjera, kështu që nga ky këndvështrim, këtë vit shkollor po e fillojmë më të përgatitur se në të kaluarën dhe nxënësit që nga dita e parë do të marrin tekste shkollore dhe materiale.”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Programet e reja arsimore dhe tekstet me koncept të ri për klasën e parë, dytë, katër dhe të pestë, sipas ministrit Shaqiri, janë në fazën finale. Në Byronë për Arsim do të dërgohet në shqyrtim edhe Abetarja e unifikuar për nxënësit shqiptarë, e Shaqiri është optimist se pas kalimit të procedurave, brenda ligjeve ekzistuese e programeve mësimore, abetarja do të përdoret edhe nga nxënësit shqiptarë në RMV.
Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë, Shaqiri: Ende presim projektin e ri nga komuna
Ndërkohë, sa i përket ndërtimit të objektit të ri të Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, ministri thotë se presin projektin nga komuna.
“Kam realizuar takime me kryetarin e qytetit të komunës së Kumanovës dhe jemi në koordinim për të përfunduar planin detal dhe planin urbanistik. Në qoftë se projekti arrin gjatë këtij viti, menjëherë ne do të organizojmë të gjitha procedurat për të siguruar operatorin ekonomik për të realizuar projektin e gjimnazit.”,- theksoi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Sa i përket krizës energjetike, Shaqiri sqaroi se shkollat janë më të përgatitura se vitet paraprake dhe po bëhen të gjitha koordinimet me Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave, që të sigurohen që shkollat të jenë të hapura edhe gjatë sezonit dimëror. Njoftoi ndërkohë edhe se MASh-i dhe SAShK-u kanë arritur marrëveshje dhe paga e shtatorit për të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm do të jetë për 15 për qind më e lartë.
MERAL ISMAILI
