Maqedoni

SASHK-u e mbështet grevën, disa komuna jo

19.01.2015 17:27

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës doli me vendim të prerë se nesër grevë do të ketë në të gjitha shkollat fillore, të mesme, kopshtet e fëmijëve dhe institucionet e kulturës...

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov, thotë se për këtë hap kanë mbështetjen e 87% të anëtarësisë së sindikatës edhe përkundër presioneve të shumta nga shumë kryetarë komunash.
 
Në rast se ndonjëri bie pre e këtyre presioneve dhe nis procesin e mësimit, Nedellkov thotë se ata persona do të largohen prej anëtarësisë së SASHK-ut.
 
“Nesër definitivisht do të ketë grevë të përgjithshme  në përputhje me vendimin që mori këshilli, pra greva do të fillojë më 20 janar dhe kur do të përfundojë ne nuk e dimë dhe kjo aspak nuk varet prej nesh. Ajo që kryetarët e komunave dalin për çdo ditë nëpër televizione bashkë me drejtorët dhe thonë se nuk do të ketë grevë në komunat e tyre dhe u bëjnë thirrje prindërve që të çojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla, ne këtë e vlerësojmë si shkelje e rëndë e ligjeve dhe Kushtetutës së Maqedonisë në pjesën e organizmit dhe veprimit të lirë të sindikatave”- deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
 
Nedellkov, thotë se për shkeljet e tilla do të padisë të gjithë ata persona, përfshi këtu edhe kryetarët e komunave, pasi që në mënyrë direkte kanë akuzuar atë se për shkak të interesave personale po e organizon grevën.
 
Kundër grevës nga shtatori i vitit të shkuar ishte shprehur vetëm Dega e Ohrit. Por, dje grevës i thanë jo edhe kryetarët e komunave të qytetit të Shkupit. Sot mësohet se edhe shkollat fillore të Komunës së Bogovinës nesër do të nisin mësimin. 
 
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës paraprakisht theksuan se nuk ndërhyjnë në zhvillimin e grevës, pasi që ajo është e drejtë demokratike e sindikatave, por do të marrin masa për moshumbjen e orëve të mësimit. 
 
Kërkesat e SASHK-ut pse shkojnë drejt grevës janë heqja e dënimeve dhe shpërblimeve nëpërmjet testimit ekstern, reduktimin e evidencave pedagogjike në shkolla dhe kopshtet e fëmijëve, nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive në kulturë, aplikimin e marrëveshjeve kolektive për kopshtet e fëmijëve, si dhe rritjen e pagave për 25% në tre sektorët: në sociale, arsim dhe kulturë.
 
MERAL ISMAILI