Roth: Të krijohen kushte për ndryshimet kushtetuese
Gjermania, si vend anëtar i Bashkimit Evropian....

Gjermania, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, konsideron se në vend do të sigurohen kushte për ndryshimet kushtetuese, pavarësisht ndjeshmërisë dhe kundërshtimeve të opozitës dhe një pjese të opinionit maqedonas.
Pyetja që duhet të parashtrohet në moment është se çfarë mund të bëni për shtetin tuaj dhe jo për partinë tuaj, porositi deputeti gjerman dhe kryetar i Komisionit për Politike të Jashtme në Bundestag, Mikael Roth, pas takimit me kreun shtetëror.
“Shpresoj se në Kuvendin e Maqedonisë do të krijohen parakushte për ndryshimet që të ketë tempo dhe përshpejtim të bisedimeve qasëse, pas kjo është shumë e nevojshme. Vendi ka bërë shumë rreth negociatave prandaj mbetet edhe pak. E di se shumëkujt s’i duken të lehta këto ndryshime kushtetuese, mirëpo pyetja që duhet të parashtrojë çdokush nuk është se si mund ta ndihmojë partinë por si mund të ndihmoj dhe kontribuoj për vendin tim.”,- tha kryetari i KPJ-së në Bundestag, Mikael Roth.
Luftoni krimin, korrupsionin dhe nepotizmin
Roth porositi politikën vendore që të vazhdojnë me përforcimin e demokracisë në vend dhe të thellojë luftën kundër krimit, korrupsionit dhe nepotizmit.
Njëkohësisht konstatoi nevojën për angazhim më aktiv dhe më të prekshëm të BE-së, në drejtim të kthimit të besimit.
“E di që personat e përgjegjshëm politikisht tani duhet të vazhdojnë më tej me avancimin, të përforcojnë demokracinë, të vazhdojnë me luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe të krijojnë vende të reja pune. Vendi juaj investoi shumë në rrugën drejt BE-së dhe tani Unioni ka detyrim që të jetë më e dukshme në Maqedoninë e Veriut. Të mundësojë punë dhe perspektivë për të rinjtë që ta kuptojnë se ia vlen.”,- tha kryetari i KPJ-së në Bundestag, Mikael Roth.
Në takimin me presidentin Pendarovski, kryeparlamentarin Xhaferi, zëvendëskryeministrin Mariçiç, ministrin e jashtëm Osmanin dhe përfaqësues të opozitës, Roth ka ripërsëritur qëndrimin se duhet të përmbushen obligimet e marra, ndërsa Gjermania do të qëndrojë fort pas zbatimit të premtimeve të dhëna ndaj vendit nga Bashkimi Evropian. Ai u takua edhe me përfaqësues të sektorit civil. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
