Shkupi përballet me pasojat e stuhisë, 1000 thirrje të martën në numrat e ndihmës
Pemë dhe çati të shkulura, vetura të shtypura....

Pemë dhe çati të shkulura, vetura të shtypura, dhjetëra metra katror podrume dhe rrugica të përmbytura. Ky është bilanci nga reshjet e rrëmbyeshme që kapluan kryeqytetin pasditen e së martës. Autoritetet po punojnë për largimin e pasojave të shkaktuara në terren dhe për regjistrimin e të gjitha dëmeve në kryeqytet.
“Në linjën e hapur telefonike kemi pranuar mbi 1.000 thirrje për dëme të shkaktuara ku kemi regjistruar mbi 180 ngjarje për të cilat kemi intervenuar në terren. Ka së paku 40 pemë të rëna në tokë, një pjesë e tyre kanë rënë mbi veturat ku dhe shkaktuan dëme materiale, rreth 20 vetura janë dëmtuar, po ashtu janë përmbytur edhe 80 podrume, duke përfshirë edhe podrumet e qendrës tregtare EASGAT ..ishin të përmbytura rreth 20 nënkalime, udhëkryqe dhe janë dëmtuar rreth 15 çati të objekteve të banimit.”,- deklaroi Stojançe Angelov nga QMK.
Ganiu: Shi i pazakontë, punojmë në riparimin e dëmeve
Autoritetet komunale kanë përveshur mëngët që në minutat e para pas përfundimit të stuhisë. Në Çair po regjistrohen dëmet në terren dhe u pastruan e dezinfektuan edhe hapësirave shkollore për tu bërë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Ka shumë raste që janë paraqitur ku janë dëmtuar veturat e tyre, kemi pasur dy raste ku pasur persona brenda veturave, por fal Zotit nuk ka dëme në njerëz, nga drunjtë të cilët kanë ra nga era e madhe, ka disa çati të kulmeve të cilat kanë fluturuar. Ju e dini që uji i rrëmbyeshëm me sasi të mëdha ka ardhur mbi ne, pra mbi komunat Butel dhe Shuto Orizare dhe kuptohet se për shkak se ne jemi pozitë pak më e ulët, gjithë ai uji ka vërshuar rrugët e komunës sonë. Pasi që është ndalur shiu, mund të them se uji shumë shpejt është larguar, që do të thotë se kanalizimi ka funksionuar, por në atë moment atë kapacitet të ujit të madh nuk mundur të absorbojnë.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Kompensimi i dëmeve nga stuhia në Shkup, komunat kërkojnë ndihmë nga qeveria
Edhe autoritetet lokale në Aerodrom e Kisela Vodë regjistrojnë dëmet dhe kërkojnë ndihmën e ekzekutivit për t’i kompensuar banorët.
“Duhet ekzekutivi të ndihmojë komunat, pasi që ky vit është vit shumë i rëndë financiarisht për komunën tonë, pasi që buxheti i komunës sonë këtë vit është rënduar për 1.5 milion euro më shumë vetëm për shkak të krizës energjetike, andaj themi se tani me këto vërshime kemi dëme të mëdha materiale mbi objektet private, por edhe ndaj objekteve publike, siç janë çerdhet dhe shkollat.”,- theksoi kryetari i komunës së Aerodromit, Timço Mucunski.
“Deri tani janë regjistruar disa dëme materiale në komunën tonë, tri banesa janë përmbytur për shkak se moti i lig largoi çatinë e tyre dhe uji depërtoi në brendësi. Po ashtu janë dëmtuar dhe 2 vetura. Po rishikojmë mundësinë që t’i ndihmojmë financiarisht qytetarët e prekur nga moti i lig.”,- deklaroi kryetari i komunës Kisella Vodë, Orce Gjorgjievski.
Në mbledhjen e kryetarëve të komunave në Qytetin e Shkupit është konstatuar se do të nevojitet dhjetë ditë që kryeqyteti t’i kthehet normalitetit e të pastrohen tërësisht vendbanimet e përmbytura. (Rexhep Qamili, TVM2)
