Maqedoni

Besimi: integrimi mbetet prioritet kyç për vendin

19.01.2015 18:11

Integrimi Euroatlantik mbetet prioritet strategjik për vendin dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq qeveria po angazhohet për zbatimin e rekomandimeve të KE-së...

Integrimi Euroatlantik mbetet prioritet strategjik për vendin dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq qeveria po angazhohet për zbatimin e rekomandimeve të KE-së, të shënuara në Raportin e Progresit.
 
Të paktën ky është qëndrimi zyrtar të cilin zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, e ka shprehur në takimin me ministrin për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Dejvid Lidington.
 
“Është me rëndësi që Republika e Maqedonisë ka rekomandim për fillimin e bisedimeve dhe në të njëjtën kohë duhet të punohet në rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian lidhur me reformat në gjyqësor, lirinë e të shprehurit dhe mediat, dialogun politik dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një baze të mirë për fillimin e bisedimeve zyrtare me BE-në”- ka thënë Besimi. 
 
Në kumtesën e lëshuar nga Sekretariati për Çështje Evropiane thuhet se në takim është biseduar edhe për zhvillimet e fundit ekonomike dhe të sigurisë në rajon, si dhe rëndësinë e përshpejtimit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.
 
“Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe karakterizohet me dialog të hapur dhe konstruktiv dhe me thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit në më shumë sfera me interes të përbashkët”- thuhet në kumtesë. 
 
Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Besimi është takuar edhe me përfaqësues të Grupit për Bashkëpunim me Maqedoninë në Dhomën e Poshtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, të kryesuar nga kryetari i grupit, Karen Lumli, si dhe me z.Jan Kerns, drejtor dhe bashkëthemelues i rrjetit të liderëve evropian.
 
Në takime është biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral mes Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për përkrahjen që Maqedonia e merr nga Britania e Madhe në procesin e integrimit, e veçanërisht në fushën e administratës publike.
 
SHPËTIM NUREDINI