Maqedoni

Nis viti i ri shkollor

01.09.2022 09:07

Rreth 255 mijë filloristë dhe nxënës të shkollave të mesme sot e fillojnë vitin shkollor 2022/2023....

Rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, filluan sot vitin e ri shkollor 2022/2023. Më të lumtur janë nxënësit e klasës së parë.

Urime për një vit të mbarë shkollorë ka përcjellur ministri i arsimit Jeton Shaqiri, i cili në ditën e parë të shkollës ka vizituar shkollat “Goce Dellçev” në Ilinden, Naim Frashëri në Reçicë të vogël të Tetovës dhe Vasill Gllavinov në Çair të Shkupit. Presidenti Stevo Pendarovski ka zgjedhur Shkollën Fillore Shën Kirili dhe Metodi në komunën qendër për t’ua uruar nxënësve sukses në këtë vit shkollor. Vit të mbarë dhe të sukseshëm u ka uruar nxënësve edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. 

Ky vit shkollor, pas dy vitesh pandemi nisë pa protokolle anti-Covid. Por sistemi arsimor në këtë vit shkollor do të jetë para sfidës për përballje me krizën energjetike. Qeveria i ka obliguar institucionet shtetërore për ulje të konsumit të energjisë elektrike dhe ngrohëse. Por nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thonë se edhe në kushtet e krizës energjetike, shkollat duhet të preken të fundit.