Maqedoni

Grubi për ndryshimet kushtetuese: Kontaktet me opozitën më japin optimizëm

01.09.2022 14:37

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, është optimist në lidhje me sigurimin e shumicës prej 80 deputetëve...

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, është optimist në lidhje me sigurimin e shumicës prej 80 deputetëve me qëllim ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut e në këmbim vendi ynë do të nisë negociatat me BE-në, kurse bisedimet pushtet-opozitë po ngjallin besim sepse te opozita shihet zhvillimi i një krahu pro-europian.
 
“Kontaktet tona të përditshme me deputetët e opozitës më japin optimizëm se ata do ta mbështesin këtë dhe tashmë po shohim zhvillimin e një krahu pro-evropian në opozitë, gjë që më gëzon shumë, sepse kemi nevojë për një opozitë me orientim euroatlantik, veçanërisht në këto kohë sfiduese për shtetin.”,- theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Grubi: Ndryshimet do të udhëhiqen nga qeveria
 
Grubi thotë se ndryshimet kushtetuese do të udhëhiqen nga Qeveria, por edhe se në opozitë “progresistët do të mbizotërojnë mbi forcat regresive”.
 
“Qeveria nuk fshihet nga përgjegjësia në drejtim të këtij procesi, përkundrazi me krenari i qaset. Unë jam i bindur se do të qëndrojmë në krye të këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe se ato forca proeuropiane në opozitë do të mbizotërojnë mbi forcat regresive të cilat nuk duan që Maqedoninë e Veriut ta shohin në BE.”,- theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Siç dihet, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është pjesë e kornizës negociuese dhe kusht për fillimin substancial të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
 
SANIJE DURAKU