Maqedoni

Vendet bosh në kushtetuese, Komisioni shqyrton kandidatët

01.09.2022 15:43

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vazhdoi shqyrtimin e kandidatëve për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese....

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vazhdoi shqyrtimin e kandidatëve për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Prej nëntë kandidatë sa janë propozuar gjithsej, janë shqyrtuar biografitë e kandidatit Fatmir Skënder, propozim i shumicës, i cili mori pëlqimin e Komisionit dhe Rodna Zhifkovska, propozim i opozitës, e cila nuk kaloi në Komision. Opozita kundër kandidates së radhës, Tatjana Vasiq Bozaxhieva. Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Petar Ristevski, kandidatja Bozaxhieva ka biografi të varfër shkencore dhe nuk është ndonjë juriste e shquar siç e kërkon ligji. Akuzoi shumicën parlamentare se po politizon Gjykatën Kushtetuese.  
 
“Është evidente se Tanja Vasiç Bozaxhieva e ka marrë besimin e kolegëve nga maxhoranca nën diktatin e dikujt tjetër që është shumë më i fuqishëm dhe gjithsesi se nuk janë kolegët deputetë por është ish kryetari i tyre i partisë dhe I Qeverisë, Zoran Zaev.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Petar Ristevski.
 
Pretendimet e Ristevskit i hodhën poshtë deputetët e shumicës. Sipas deputetit të Opsionit Qytetar për Maqedoninë, Panço Minov, akuzat e opozitës janë të pabaza, ndërsa mbajtja e fjalimeve të stërzgjatura kanë për qëllim bllokimin e punës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera, në këtë rast edhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese. 
 
“Me diskutime të tilla, stërzgjatje dhe joefikasitet të Komisionit në lidhje me përcaktimin e kandidatit për gjykatës kushtetues, përsëri e frenoni dhe nuk e lejoni funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese. D.m.th. veproni kundër produktivitetit dhe efikasitetit të institucionit dhe ndërkohë keni gojën plot me kritika për mosfundionimin e institucioneve dhe mosbesimin në institucionet e shtetit.”,- u shpreh deputeti i “GROM”-it, Panço Minov.
 
Veç kandidates Vasiq, LSDM propozon edhe kryeprokurorin Ljubomir Joveski, ndërsa propozime të opozitës janë: Savo Klimovski, Todor Vitlarov, Voisllav Dimovski, Vesna Jovanovska dhe Branko Sekulloski.       
 
Nga nëntë emra të propozuar, Komisioni duhet të zgjedh tre kandidatë të cilët më pas duhet të votohen edhe në seancë plenare.
 
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, që nga maji i vitit të kaluar, funksionon me pesë gjykatës dhe për shumë nisma nuk mund sigurojë shumicën për të marrë vendime.
 
SHPËTIM NUREDINI