Botë
Qeveria aprovon ndryshimin e ligjit për “Trepçën”
19.01.2015 18:18
Me propozim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës ka hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë së kombinatit metalurgjik “Trepça”...

Me propozim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës ka hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë së kombinatit metalurgjik “Trepça”, në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Kjo heqje pasoi vendimin e mëngjesit të së hënës të Qeverisë së Kosovës për aprovimin e propozimit "për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre”.
Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i afateve kohore për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe parashihet një periudhë kohore gjithsej prej 36 muajsh, përfshirë këtu edhe ankesat potenciale për riorganizim. Me vendimin e qeverisë, nga java e kaluar pritej që ky status të ndryshojë dhe kompleksi të jetë ndërmarrje publike nën menaxhimin e Qeverisë së Kosovës.
Duke arsyetuar kërkesën për shtyrje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në kuvend se për kombinatin metalurgjik “Trepça” nevojitet një ligj i veçantë. Qëllimi kryesor, sipas tij, është që të pamundësohen procedurat për falimentimin e këtij kompleksi, i cili është në interes të punëtorëve dhe të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se kontesti rreth kombinatit “Trepça” duhet të zgjidhet brenda institucioneve të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve që janë të pranishëm në qeveri dhe kuvend.
