Maqedoni
KRRE kërkon nga kompania “Beg” t’i kthejë faturat, nuk janë llogaritur subvencionet
01.09.2022 16:49
Komisioni Rregullator për Energjetikë kërkon nga kompani BEG që ti kthejë mbrapsht faturat e përllogaritura...

Komisioni Rregullator për Energjetikë kërkon nga kompani BEG që ti kthejë mbrapsht faturat e përllogaritura të ngrohjes qendrore për muaj gusht pasi që në të nuk janë përllogaritur subvencionet që Qeveria ua jep konsumatorëve për ngrohjes qendrore.
Rregullatorët thonë se shumë qytetarë janë ankuar deri te KRRE-ja se faturat e tyre të ngrohjes qendrore janë faturuar me rreth 40 % rritje.
“KRRE kërkon që kompania “BEG” t’i kthejë të gjitha faturat të cilat ua kanë dërguar konsumatorëve, pasi që në të nuk janë llogaritur subvencionet e dhëna nga qeveria për konsumatorët e energjisë termike në Shkup. Qeveria ka marrë një vendim të duhur dhe nëse ka kaluar afati do të marrë një të ri dhe konsumatorët do të marrin subvencionet. Në buxhet ka para. Kjo do të thotë se BEG do të duhet të kthejë faturat që u ka dërguar konsumatorëve në një periudhë të pazakontë para fundit të muajit, në datat 30 dhe 31 gusht. Do të duhet të përgatiten faturat e reja që do të marrin qytetarët.”,- deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Beslimovski.
Më 27 qershor KRRE ia mori licencën për punë Ballkan Enerxhit Grup për prodhim, distribuim dhe furnizim me energji të ngrohjes dhe prej muajit tetor BEG më nuk do t’i ngrohë më shkupjanet.
Qeveria në ndërkohë është në procedurë e sipër për përzgjedhjen e një kompanie të re e cila do të kryejë aktivitetin e shpërndarjes së energjisë termike, ndërsa vlerësimet e rregullatorëve janë se këtë punë duhet ta bëjë ndonjë ndërmerrje publike e jo kompani private.
Beslimovski njëherit hedh poshtë spekulimet se mbi konsumatorëve të energjisë elektrike janë shtuar shpenzime shtesë për distribuimin e rrymës, gjë e cila nuk është e vërtetë, pasi që distribuimi i energjisë elektrike gjithmonë është faturuar në faturat e energjisë elektrike.
Por për dallim nga faturat e mëparshme, tani në faturat e reja shihet qartë sa kushton distribuimi dhe sa rryma e shpenzuar. Ajo që më së shumti rëndon faturat e qytetarëve janë humbjet e energjisë elektrik.
Në ndërkohë, si shumë institucione tjera edhe KRRE sot ka filluar të zbatojë masat e kursimit të energjisë elektrike duke racionalizuar pajisjet e ndriçimit dhe përdorimit të rrymës në këtë institucion.
REXHEP QAMILI
