Botë

Miliona të evakuuar në Pakistan për shkak të vërshimeve

02.09.2022 11:54

Punëtorët e shpëtimit, të mbështetur nga helikopterë ushtarakë dhe anije...

Punëtorët e shpëtimit, të mbështetur nga helikopterë ushtarakë dhe anije, edhe sot vazhduan operacionet për evakuimin e miliona personave nga fshatrat e largëta në jug të Pakistanit, teksa rajoni po bëhet gati për vërshime të tjera. Sind ishte goditur më së rëndi nga vërshimet që ndodhën në mesin e muajit qershor.
 
Numri i viktimave nga vërshimet në Pakistan ka arritur në 1.208 dhe ky numër pritet të rritet, tha Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive.
 
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse dhe sëmundjeve të tjera në zonat e prekura nga vërshimet.
 
Qeveria pakistaneze tha se mbi 33 milionë persona, apo 15 për qind e popullsisë prej 220 milionë banorësh, janë prekur nga vërshimet që kanë shkatërruar shtëpi, biznese, infrastrukturë, rrugë dhe po ashtu kanë shkatërruar të mbjellat. Disa vlerësime thonë se një e treta e shtetit aktualisht është nën ujë.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vërshimet kanë dëmtuar të paktën 888 ndërtesa shëndetësore, duke penguar përgjigjen e shtetit ndaj krizës shëndetësore të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 160 milionë dollarë për të ndihmuar për “këtë fatkeqësi të paprecedent klimatike”. OBSH-ja thotë se mbi 6.4 milionë persona kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.