Strugë, tregtarët të kënaqur me sezonin veror, por jo si vitet e kaluara para krizës

03.09.2022 13:09

Sezoni veror mbushi rrugët....

Sezoni veror mbushi rrugët dhe tregjet e qytetit të Strugës. Tregtarët të cilët çdo ditë po përballen me rritjen e çmimeve të produkteve të cilët i shesin thonë se sezoni ka kaluar shumë mirë, kjo më shumë falë mërgimtarëve të cilët kanë sjellë më shumë të ardhura për to.

Ata thonë se presin sezonin veror për të dalë sado pak nga kriza, megjithatë shprehen se puna nuk është siç ka qenë para krizës, ku shitjet kanë qenë më të mëdha.

“Shumë mirë këtë verë, kishte gurbetçarë shkonte shumë mirë.”

“Për produktet çmimet janë të arritshme, këto produktet kryesore domate, speca ende mbajnë çmim, relativisht jemi të kënaqur, normal harxhimet për prodhuesit janë më të mëdhaja, megjithatë ne që shesim më pak mir është, por sigurisht kemi pak rënie për shkak të rritjes së çmimeve të naftës, të shërbimeve.”

“Ne si tregtar e ndjejmë që ka pas rënie, produktet tani kanë pas edhe rritje të çmimeve, edhe njerzit normal sipas gjithë vendeve edhe ktu diktohet, blerjet shkojnë jo si kanë shku çdo vit, por gjithsesi ushqimi është bazë, sa munden njerzit diçka është më lirë e bëjnë tek ato më shtrejtnë kursejnë. Kjo është si një infuzion për tregtarët, të gjithë e presin sezonin, dasmat e bëjnë të veten, ka fluks më të madh të njerzve, por në përgjithsi ka pas rënie në të gjithë bizneset, edhe njerzit kanë ankesa për çmimet, besojmë se bëhet më mirë.” – thanë disa nga tregtarët e intervistuar nga TVM2.

Ndërsa nga ana tjetër qytetarët ankohen për rritjet e çmimeve, thonë se nuk janë të përballeshme. Ankohen se çmimet gjithnjë e më shumë po rriten tek ushqimet bazë, ndërsa rrogat mbesin të njëjtat.

“Jo nuk janë të përballueshme, aq është rroga këtu, normal janë çmimet e larta. Besoj që po, kan hyp shum çmimet, dihet që do jetë dimër i rëndë.”

“Janë shumë shtrejnt, populli nuk ka pare ta financoe at që don të blejë, rrogat janë tvogla jetesa është e shtrejntë, qar do bëjmë. Çmimet nuk bëjnë, të ulen pak çmimet, ka ndonjë nuk ka rroga, me 200 euro çka do bëjë, material mjaft ka por të shtrejnta, smund ta mbërrijm.”

“Të larta janë normal, populli don të rrojë.” – deklaruan disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Rritja e çmimeve dhe inflacioni ka ndikuar edhe tek bizneset tjera të vogla, sepse edhe për to janë shtrejntuar shërbimet ndërsa blerjet janë shumë të pakta. Qytetarët thonë se vetëm rritja e rrogave mund të bëjë një balancim, për të jetuar një jetë mesatare. (Ilmije Zhaku, TVM2)