Grubi për ndryshimet kushtetuese, në rradhët e opozitës po zhvillohet një krah pro-europian

03.09.2022 13:37

Gjithnjë e më shumë rritet optimizmi i deputetëve....

Gjithnjë e më shumë rritet optimizmi i deputetëve të shumicës parlamentare, se në Kuvend do të miratohen ndryshimet kushtetuese.

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Artan Grubi, edhe një herë ka theksuar se nga kontaktet që ka pasur me deputetët e opozitës, ai sheh një krah pro-europian dhe deputetë të cilët janë të gatshëm të mbeshtesin ndryshimet në fjalë.

Grubi shprehet i bindur se këto ndryshime do të miratohen në Kuvend, pasi që me të garantohet e ardhmja e sigurtë europiane e këtij vendi.

“Dua të sqaroj se ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin. Pa amendamentet kushtetuese Maqedonia është në regres. Pa ndryshimet kushtetuese RMV është në status quo  dhe nuk mund të ecë përpara, prandaj të gjithë ata që duan një Maqedoni evropiane, që  duan zhvillim dhe që duan ta shohin vendin tonë krah për krah me anëtarët e BE-së do të mbështesin ndryshimet kushtetuese, me të cilën komuniteti maqedonas do të del përfituesi më i madh në këtë rast, sepse më në fund do të bëhet ndarja e popullit maqedonas nga populli bullgar. Dhe e gjithë kjo me pranimin e vetë të popullit bullgar, i cili kishte pretendime të tjera, siç e dini, deri dje. Përfituesi më i madh i këtij procesi është absolutisht në radhë të parë populli maqedonas në RMV dhe të gjithë qytetarët e tjerë të vendit pasi që, sepse mendoj se me këtë proces do të rumbullakoset e gjithë çështja e shtetësisë së këtij vendi” – tha Zv.Kryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.

Pavarësisht bindjes së thellë të mazhorancës, VMRO-DPMNE opozitare konsideron se deri në këto momente shumica parlamentare nuk i ka votat e nevojshme për këto ndryshime, andaj edhe nuk i futet akoma këtij procesi, thonë nga VMRO.

“Qeveria e Kovaçevskit po tenton të defokusojë opinionin nga deshtimet e përdtishme të kësaj Qeverie, nga mos pasja e librave, inflacioni i lartë, rritjes së ulët ekonomike. Krimin е mbulojnë me lajme të rreme. Çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk është nëse jemi për ose kundër BE-së, por a jemi ose jo kundër shpërfyitimit të identitetit dhe pranimin e ultimatumeve bullgare” – thonë nga VMRO-DPMNE.

Me ndryshimet kushtetuese parashikohet që në preambulën e Kushtetutës së RMV-së të përfshihen bullgaret si shtetëformues, pa asnjë detyrim reciprociteti nga pala bullgare për njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari.

Nëse në Kuvend sigurohen 2/3 e votave të nevojshme, atëherë RMV do ta ketë të garantuar hapjen e plotë të procesit të negociateve. Deri në këto momente nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të mund të filloj procesi i ndryshimeve Kushtetuese. (Rexhep Qamili, TVM2)