Kriza energjetike, Zenku: Nuk presim të ketë restrikcione
Gjatë këtij viti nuk priten restriksione të energjisë elektrike.....

Gjatë këtij viti nuk priten restriksione të energjisë elektrike, siguron qytetarët Zv/Drejtori i Elemit, Imer Zenku. Sipas tij për momentin po punohet për sigurimin e thëngjillit dhe mazutit, që të nisë me punë termocentrali Osllomej në Kërçovë.
Qeveria në mbledhjen e fundit, vendosi të vërë në dispozicion të Elektranave të Maqedonisë së Veriut, 3 miliard e 100 mijë denarë të destinuara ekskluzivisht për rritjen e sasisë së prodhimit të energjisë elektrike dhe sigurimin e lëndëve bazë për këtë qëllim.
Nga ELEM thonë se nuk do të ketë restriksione gjatë dimrit pasi janë bërë gati në kohë për të përmbushur kërkesat e konsumit
“E dimë të gjithë se termocentalet tona kanë një moshë funksionimi deri prej 70 vjet më parë. Por nuk po e llogarisim opsionin se mund të ketë restriksione këtë dimër, as se do të ketë nevojë për të importuar energji për shkak të përgatitjeve të cilat i bëjmë në kohë dhe po qese noralisht furnizohemi me thëngjill dhe mazut” – u shpreh Zv.Drejtori i ELEM-it, Imer Zenku.
Parku i mullinjëve me erë në Bogdanci, pritet ndërtimi i tre turbinave të reja shtesë
Një tjetër alternativë për prodhimin e energjisë, përveç termocentraleve dhe paneleve fotovoltaike, janë turbinat me erë. Këto struktura 80 metra në Bogdanci, e shndërrojnë erën në energjinë më të kërkuar në këtë moment krize energjitike jo vetëm në vend por në mbarë botën.
Aktualisht ato mbulojnë nevojat e 16 mijë familjeve me një prodhim prej 36.8 megavatësh. Vitin e ardhshëm pritet të ndërtohen edhe tre turbina me nga 13.2 megavat për 7000 familje të tjera.
Për momentin procesi i tenderimit është në fazën përfundimtare kur duhet të zgjidhet firma kontraktuese e më pas do të fillojnë aktivitetet për sigurimin e rrugëve hyrëse, platformave, kabllove lidhëse dhe të tjera.
“Tani jemi në fazën e dytë bashkë me partnerët tanë nga ISK dhe po punojmë për shtimin kapaciteteve në parkun e turbinave me erë e ne përmes Bankës për Zhvillim jemi të gatshëm të mundësojmë ndihmë në ndërtimin e kapaciteteve shtesë” – deklaroi Drejtori i Bankës gjermane për zhvillim, Moritz Remme.
Marrëveshja e huasë për ndërtimin e këtij parku, u nënshkrua në vitin 2011 dhe turbinat e para me erë, hynë në funksion në vitin 2014, me mjete nga Banka Gjermane për Zhvillim. (Adnan Hajdari, TVM2)
