Klinika për anestezion dhe reanimacion nuk pranon pacientë pas përmbytjeve të hapësirës

03.09.2022 17:02

Pas stuhisë së të martës, Klinika për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv.....

Pas stuhisë së të martës, Klinika për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv  nuk pranon pacient, sepse një pjesë e hapësirave të saj u përmbytën.

Nga VMRO-DPMNE akuzuan se nuk po ndërmerret asnjë hap për sanimin e dëmeve dhe rivënien sa më të shpejtë në funksion të kësaj klinike.

“Çfarë po ndërmerret që kjo klinikë në mënyrë të duhur të përgatitet për funksionim. Kjo nuk është një garazh, ose podrum nga i cili duhet të nxirret vetëm uji dhe të pastrohet me leckë. Nëse klinika ka qenë përmbytur nga kanalizimi apo ujëra të tjera deri në atë nivel sa të mos pranohen pacientë, atëherë këtu bëhet fjalë për një proces shumë më serioz dhe thelbësorë për të rikthyer atë në funksion” – tha Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojkoska.

Por drejtor i Klinikës për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, Aleksandar Stojkoski tha se kjo klinikë është pjesërisht në funksion, pasi sipas tij ka pasur vetëm rrjedhje uji dhe jo përmbytje.

“Gjendja në ‘Karil’ është normale, vetëm se punojmë më intensitet të zvogëluar. Fillimisht të sqaroj se nuk bëhet fjalë për përmbytje. Bëhet fjalë për një pjesë tek magazinat dhe në pjesën intensive dhe ajo nuk është përmbytje, ashtu siç përcillet. Është rrjedhje pranë murit, e cila tashmë është sanuar, por ngaqë në atë pjesë ka rrjet elektrik në të cilën lidhen disa krevate ata krevate janë shkyçur, deri sa të shohim se si është gjendja me energjinë. Krevatet tjera, rreth 15, janë në funksion. Çdo ditë pranohen pacientë”, - u shpreh Drejtori i Klinikës për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, Aleksandar Stojkoski.

Më 1 shtator përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë informoi se për shkak të problemeve teknike të njësisë për trajtim intensiv në këtë klinikë të gjithë pacientët që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe trajtim do të drejtohen në institucionet publike shëndetësore, deri në sanimin e defektit. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)