Maqedoni

Shtyhet seanca për spitalin modular të Tetovës, Besimi: Nuk ndjehem fajtor, do ta dëshmojë me prova

06.09.2022 13:36

Pas një viti nga djegia e spitalit modular në Tetovë...

Pas një viti nga djegia e spitalit modular në Tetovë, më në fund ka filluar gjykimi për rastin e modularit në Tetovë. Seanca e parë nuk është mbajtur shkaku i mosparaqitjes në gjyq të dy të akuzuarve, ish drejtorit ekonomik, Artan Etemi, si dhe përgjegjësit të qendrës COVID, Boban Vuçevski.

Avokati i të akuzuarit të parë, Florin Besimit, kërkoi që brenda kësaj periudhe, deri në seancën e radhës, që u caktua më 14 tetor, gjykata të ju lejojë qasje tek lënda, akuza, me qëllim leximin e saj, për çka gjykatësi dha lejen në fjalë.

Ish-drejtor i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, pas daljes nga gjykata tha se gjithçka çka duhet të thotë do ta thotë para gjykatës.

“Gjithçka që kam të them për procesin gjyqësor për këtë rast tragjik do e them para gjykatës. Lus mediat që të përcjellin këtë rast sepse unë personalisht i besoj sistemit gjyqësor dhe jam i bindur se e vërteta do të dëshmohet.  Jam i bindur andaj kërkoj durim nga ana e mediave deri sa të fillojë procesi, sepse jam i bindur se me fakte dhe argumente do e dëshmojmë të vërtetë dhe jam i bindur se do del e vërteta.”,- tha ish drejtori i spitalit – Tetovës, Florin Besimi.

Në seancën e sotme nuk u paraqitën as familjarët e viktimave dhe të dëmtuarve, por vetëm disa nga avokatët e tyre. Për veprat penale për të cilat dyshohen përgjegjësit e Spitalit të Qytetit dhe Spitali i Qytetit si person juridik parashikohet dënime me burg nga 6 muaj deri në 5 vite.

Kodi Penal parashikon gjoba dhe dënime me burg për mosveprimin në përputhje me rekomandimet shëndetësore, akuzë me të cilën ngarkohet përgjegjësi në Spitalin Modular mbrëmjen e 8 shtatorit.

Zjarri në Spitalin Modular të Tetovës i cili sipas ekspertizave vendase dhe të huaja erdhi si pasojë e kabllos vazhduese ku ishte lidhur defibrilatori, mori jetën e 14 personave, një pjesë  e madhe e tyre pacientë të infektuar ndërsa jetën e humbën edhe disa familjar të cilët kujdeseshin për të afërmit e tyre gjatë asaj periudhe.

Menjëherë pas tragjedisë në spitalin modular në Tetovë dorëheqje dhanë drejtori i Spitalit, Florin Besimi, drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe zëvendësministri e ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, por qeveria nuk pranoi dorëheqjen e këtij të fundit, i cili atë kohë udhëhiqte Ministrinë e Shëndetësisë.

VISAR SADIKI