Maqedoni

Emërimi i ambasadorëve, ambasadorja Ilieva prezantoi kandidaturën për Sllovaki

06.09.2022 14:06

Komisioni për politikë të jashtme në kuvend vazhdoi punimet duke shqyrtuar kandidaturën e Evgenija Ilieva...

Komisioni për politikë të jashtme në kuvend vazhdoi punimet duke shqyrtuar kandidaturën e Evgenija Ilieva për ambasadore në Sllovaki.

Seanca edhe pse nisi e mbyllur me kërkesë të ministrisë së jashtme, e njëjta u hap për opinionin me kërkesë të ambasadores së propozuar Ilieva, ndërkohë që shumica e deputetëve të BDI-së nuk posedonin certifikata sigurie. Ambasadorja Ilieva foli për promovimin e kulturës, turizmit si dhe përforcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, mbrojtjes, ekonomisë me shtetin sllovak.

“Do të prezantojmë kulturën dhe traditën tonë nëpërmjet organizimit të ekspozitave të artistëve tonë me qëllim që të jemi prezent në Sllovaki. Në pjesën e bashkëpunimit ekonomik do të punojmë në ringjalljen e komisionit të përzier për bashkëpunim ekonomik.”,- deklaroi ambasadorja në Sllovaki, Evgenija Ilieva.

Milloshovski: Osmani me kujdes të kërkojë seanca të mbyllura

Kryetari i komisionit, Antonio Milloshovski, adresoi kritika deri tek ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe deputetët e BDI-së të cilët në mungesë të certifikatave pamundësojnë mbarëvajtjen e seancave të mbyllura.

“Deputetët e BDI–së, anëtarë dhe zëvendës të këtij komisioni nuk kanë certifikata të sigurisë që është parakusht që të marrim pjesë dhe të votohet në seanca të mbyllura të grupeve të punës dhe në seanca plenare të kuvendit, Andaj apeli ynë ishte deri tek ministri për punë të jashtme Osmani, fillimisht të ketë kujdes se kur duhen dhe kur nuk duhen që të dërgohen në kuvend materiale me karakter të klasifikuar dhe të apelojë deputetët e BDI-së që të aplikojnë për marrjen e certifikatave të sigurisë që të mund në mënyrë të plotë të vendosin pa marrë parasysh shkallën e besueshmërisë që ka një material në kuvend.”,- theksoi kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshovski.

Komisioni vazhdon të mërkurën punimet për të shqyrtuar edhe tre kandidaturat të Agron Buxhakut për ambasador në Kanada, Driton Kuçit për ambasador në Norvegji dhe Metodija Belevski në Belgjikë.

Milloshovski nuk përjashtoi mundësinë që të kërkojnë edhe llogari nga ministri Osmani për punësimin diskutabil të Besmira Ejupit në Ministrinë e Jashtme dhe për këtë kërkoi edhe mbështetjen e shumicës.

MERAL ISMAILI