Kriza energjetike, përplas VMRO–DPMNE-në dhe LSDM-në
VMRO-DPMNE ka vazhduar me akuzat se pushteti me shitjen e tepricës së rrymës të orëve të natës..

VMRO-DPMNE ka vazhduar me akuzat se pushteti me shitjen e tepricës së rrymës të orëve të natës me çmim dyfish më të lirë se në bursë, ka dëmtuar seriozisht buxhetin e SHA-ELEM, por edhe të ekonomisë së vendit në përgjithësi.
Nga VMRO thonë se përderisa kompanitë vendase paguajnë çmim prej 800 euro për megavat në orë, ELEM shet rrymën në treg të huaj për përfitime personale të individëve të LSDM-së.
“Është e pakuptueshme se pse në kulmin e krizës energjetike, kur kërkohen më shumë megavat orë, SHA ELEM nuk e kryen vetëm tregtinë, por ua lë në dorë tregtarëve që fitojnë miliona. Përse në vend që fitimin prej 1 milion eurosh të cilin e kanë bërë dy kompanitë blerëse të rrymës, ti kishte lënë në konto të ndërmarrjes, ajo ka shkuar jashtë vendit. Ekziston dyshimi i bazuar për marrëveshje të paracaktuar dhe për dëmtim të vetëdijshëm të SHA ELEM dhe Maqedonisë.”,- deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër nga selia e partisë në pushtet thonë se në saje të politikave të LSDM-së, qytetarët do të kenë energji elektrike pa ndërprerje gjatë dimrit. Nga LSDM thonë se nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, kryeministri Kovaçevski dakordoi shit-blerje të energjisë elektrike nga Bullgaria me çmim më të favorshëm se në bursë.
“Gjatë vizitës së kryetarit Kovaçevski në Sofje, u ra dakord që gjatë dimrit të blejmë energji elektrike më të lirë për ekonominë nga Bullgaria. Importi do të nisë në tremujorin e fundit të vitit dhe do të zgjasë deri më 31 mars. Kjo siguron energji elektrike për ekonominë maqedonase në kushte më të mira se çmimet e bursës.”,- thonë nga LSDM.
Përndryshe, nga selia e socialdemokratëve informojnë se është formuar një grup pune, i cili në dy javët e ardhshme do të gjejë zgjidhje për kapacitetet dhe transportin e energjisë elektrike.
ERSAN PAJAZITI
