Mblidhet Këshilli i Sigurisë, Kovaçevski me plan për ballafaqim me krizën

06.09.2022 16:17

Kufizime të energjisë elektrike nuk do të ketë....

Kufizime të energjisë elektrike nuk do të ketë dhe as çmimet nuk do të rriten deri në fillim të vitit tjetër. Qeveria ka plan për ballafaqim me krizën energjetike, të cilin e prezantoi para Këshillit të Sigurisë, të thirrur nga presidenti Pendarovski.

Sipas kreut të Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, plani parasheh rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike për 25%, sigurimin e energjisë shtesë me çmimin më të ulët të mundshëm në bursë, bashkëpunim me fqinjët dhe aleatët si dhe përmes masave të kursimit dhe subvencionimit.

“Plani për prodhim i ESM-së, Kompania Shtetërore për Prodhimin e Energjisë Elektrike, këtë vit do të rrisim për 25%, ndërsa realizimin e planit do ta ndjekim çdo ditë. Do të ndjekim zbatimin e detyrave që i janë dhënë ESM-së dhe atë fillimi me punë i bllokut të tretë në “REK Bitolla”, fillimi me punë i furrës së dytë rezervë të Termocentralit “Negotinë”, punën e hidrocentraleve, dhe shfrytëzimi i gjithë potencialeve dhe vënia në punë të centralit me gaz “TETO” në Shkup si dhe shfrytëzimin e të gjitha burimeve të ripërtërishme të energjisë me diell, erë dhe ujë.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Megjithatë, Plani ka edhe rreziqet e veta. Kovaçevski pranoi se shteti nuk ka investuar fare në kapacitetet energjetike ekzistuese dhe mbingarkimi i centraleve për të rritur prodhimin mund të sjell defekte. Edhe çmimi i energjisë mund ndryshojë nëse ndryshon çmimi i energjensëve që shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike.  

“Po, ka rreziqe. Rënie të paparashikuara të termo-blloqeve në Manastir dhe Osllome për shkak të vjetrimit absolut të pajisjeve, që janë më të vjetër se 40 ose 50 vjet. Rreziqe të paparashikuara në çmimin e gazit natyror dhe energjisë elektrike deri në nivel çmimit të përballueshëm në nivel botëror dhe ndalesa të mundshme për eksport të gazit dhe energjensëve të tjerë për prodhimin e energjisë elektrike.”,- theksoi Kovaçevski.

Institucionet kanë filluar zbatimin e masave për kursim të energjisë elektrike. Kovaçevski ftoi edhe qytetarët që të kursejnë energji, që të ketë mjaftueshëm për të gjithë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)