Rasti “Monstra”, apeli konfirmon vendimin e penales: Janë fajtorë

06.09.2022 16:40

Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë për rastin "Monstra"....

Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë për rastin "Monstra", duke hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve. Alil Demirit, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq u konfirmohet burgu i përjetshëm, për Fejzi Azirin mbeten 15 vite burg dhe 9 për Haki Azirin.

Edhe pse mbrojta e të akuzuarve ende nuk e ka pranuar zyrtarisht aktvendimin, paralajmërojnë ankesë në Gjykatën Supreme.

“Është vërtetuar siç e kuptova jozyrtarisht, ne tash do ta përgatisim ankesën pasi ta pranojmë aktgjykimin. Ankesa do të jetë deri tek Gjykata Supreme ku ky rast do të shqyrtohet më mirë dhe mendoj se Gjykata Supreme do të sjellë vendimin si herën e parë. Praktikisht do të konstatojë se nuk ka prova dhe nuk janë këtë që e kanë realizuar këtë krim. Të dënuarit me burg Hakiu dhe Fejziu të dënuar me 9 dhe 15 vjet kanë të drejtë me mjet të çrregullt juridik para Gjykatës Supreme dhe do ta shfrytëzojmë sigurisht. Pra rishqyrtim të çrregullt para Gjykatës Supreme.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Raufi edhe më herët për TVM2 ishte shprehur se Gjykata e Apelit ka shkelur të gjitha afatet ligjore sa i përket publikimit të aktvendimit për rastin “Monstra” dhe se këtë vendim e priste nga Apeli.

Në gjykimin e parë për rastin "Monstra", Apeli dënoi me burg të përjetshëm të akuzuar për të cilin më pas prokuroria tërhoqi aktakuzën në mungesë të provave tha Raufi.

Me vendim të gjykatës Supreme rasti "Monstra" kaloi në rigjykim për shkak të paraqitjes së rrethanave të reja, gjegjësisht bisedave të përgjuara të paralajmëruara në at kohë nga ish kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Disa herë deri më tani në organizim të familjarëve u mbajtën protesta që kishin për qëllim lirimin e të akuzuarve dhe gjetjen e fajtorëve të vërtet të vrasjes së pesëfishtë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)