Lufta në Ukrainë, beteja të ashpra afër centralit bërthamorë
Beteja të ashpra janë duke u zhvilluar afër centralit bërthamorë në Zaporzhia.....

Beteja të ashpra janë duke u zhvilluar afër centralit bërthamorë në Zaporzhia, më i madhi në Evropë.Të gjashtë reaktorët e centralit janë fikur pas granatimeve në afërsi, teksa agjencia e OKB-së për energji bërthamore pritet të publikojë një raport para Këshillit të Sigurimit lidhur me situatën e sigurisë në këtë uzinë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fajësoi trupat ruse për sulmet me artileri.
“Linja e fundit e transmetimit të energjisë që lidh termocentralin me sistemin energjetik të Ukrainës u dëmtua nga një tjetër granatim provokues rus. Përsëri - kjo është hera e dytë - për shkak të provokimit rus, uzina Zaporizhzhia është një hap larg një katastrofe rrezatimi.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Por, të dyja palët vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për rreziqet që i kanosen Evropës. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se artileria ukrainase kishte bombarduar Enerhodar dhe territorin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia 15 herë në 24 orët e fundit.
“Regjimi i Kievit vazhdon provokimet e tij në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia me qëllim që të krijojë një kërcënim të fatkeqësive të shkaktuara nga njeriu Artileria ukrainase gjuajti gjithsej 20 predha, duke përfshirë tre në territorin e termocentralit bërthamor. Njëra prej predhave goditi çatinë e objektit special numër një, e dyta goditi në afërsi të një kalimi midis objektit special numër një dhe njësisë së dytë të energjisë, i treti shpërtheu pranë rezervuarëve të depozitimit të ujit të distiluar pranë njësisë së dytë të energjisë.”,- u shpreh zëdhënësi rus i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenko.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, akuzoi Rusinë për “sjellje të pamatur” sa i përket centralit të Zaporizhjas, teksa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ketë shqetësime për ndonjë fatkeqësi bërthamore sikurse ai i Çernobilit.
“Në vitin 1986, Ukraina – një pjesë e Bashkimit Sovjetik në atë kohë – ishte skena e katastrofës më të keqe bërthamore në botë, kur një reaktor në uzinën e Çernobilit shpërtheu dhe derdhi rrezatim në atmosferë. Sulmet në centralin bërthamorë do të kenë pasoja në ngjashme, ndoshta edhe më shkatërruese për shkak të sjelljes së pamatur të Rusisë.”,- u shpreh shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Raporti i Agjencisë ndërkombëtarë do të prezantohet më 6 shtator pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dy prej inspektorëve të OKB-së vazhdojnë të mbesin në Zaporizhja, ndërsa pjesa tjerët janë larguar që atje pasi kanë vlerësuar dëmet në këtë central. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
