FMN i uli parashikimet për rritjen e ekonomisë botërore

20.01.2015 10:42

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i uli parashikimet për rritjen e ekonomisë botërore kundrejt uljes së çmimit të naftës dhe treguesve të mirë ekonomik të SHBA-së...

FMN pret që rritja globale ekonomike në vitin 2015 dhe 2016 të jetë 3,5 dhe 3,7 për qind, që është për 0,3 për qind më pak nga parashikimet paraprake, të publikuara në tetor. Sipas të dhënave më të reja, të prezantuara sot në kryeqytetin kinez Pekin, ekonomia botërore ka realizuar rritje prej 3,3 për qind në vitin 2013 dhe 2014.

Sipas FMN-së eurozona në vitin 2015 dhe 2016 do të ketë rritje ekonomike prej 1,2  dhe 1 për qind, që është ulje prej 0,2 dhe 0,3 në krahasim me parashikimin paraprak.

Vendet e zhvilluara në tërësi do të realizojnë rritje prej 2,4 për qind në vitin 205 dhe 2016. Kjo në masë të madhe është falë indikatorëve të mirë ekonomikë të SHBA-së, theksohet në raportin e FMN-së. Ekonomia më e madhe në botë do të realizojë rritje prej 3,6 për qind këtë vit dhe 3,3 për qind vitin ardhshëm.

Fondi Monetar Ndërkombëtar me seli në Uashington i uli parashikimet për rritje ekonomike në dy vitet e ardhshme Japonisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

FMN i uli parashikimet për rritjen ekonomike edhe të vendeve në zhvillim. Ky grup i vendeve në vitin 2015 dhe 2016 pritet të realizojë rritje ekonomike prej 4,3 për qind dhe 4,7 për qind .

Sipas pritjeve të FMN-së rritja e ekonomisë kineze e dyta për nga madhësia në botë, këtë vit do të ulet në 6,8 për qind,që është niveli më i ulët në 25 vitet e fundit. Ulja e rritjes kineze pritet të vazhdojë edhe në vitin 2016 me parashikim prej 6,3 për qind.

FMN pret këtë vit recesion prej minus 3 në Rusi, e cila është rëndë e goditur nga ulja e çmimit të naftës dhe rublës, si dhe nga sanksionet e imponuara nga Perëndimi. Në vitin 2016 pritet që ekonomia ruse sërish të gjendet në recesion prej minus një për qind.

Organizata ndërkombëtare, gjithashtu i uli parashikimet për rritjen ekonomike të Amerikës Latine dhe Karaibeve, Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore, si dhe Afrikës në jug të Saharës.

Sipas parashikimeve  të FMN-së pritet që qarkullimi tregtar të rritet në vitin 2015 dhe 2016 me 3,8 dhe 5,3 për qind, FMN gjithashtu i uli parashikimet për inflacionin e çmimeve konsumatore në vendet e zhvilluara në 1 dhe 1,5 për qind, ndërsa i rriti parashikimet për inflacion në vendet në zhvillim dhe ekonomitë e reja tregtare  në 5,7 dhe 5,4 për qind.

FMN pret që ekonomia botërore të ketë dobi nga ulja e çmimit të naftës dhe kursi i ulët i euros dhe jenit. Megjithatë faktorët negativë  si investimet më të vogla  dhe pasojat nga kriza ndërkombëtare financiare në vitin 2008 do të jenë më të mëdha nga trendet pozitive  në periudhën e fundit, paralajmëron organizata.

Sipas FMN-së ekonomia në eurozonë dhe Japoni mund të ketë periudhë të gjatë të rritjes së ulët ekonomike dhe inflacionit. FMN pret që çmimi i naftës të mbetet nën 57 dollarë për barel në vitin 2015 dhe nën 64 dollarë në vitin 2016.

FMN u bëri thirrje edhe bankave qendrore të vazhdojnë me kursin  e politikës së butë monetare dhe reformave strukturore, me qëllim të mbështetjes së rritjes ekonomike.