VMRO-DPMNE nesër nis mbledhjen e nënshkrimeve për referendum

06.09.2022 19:10

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE....

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, pas paralajmërimeve për grumbullimin e nënshkrimeve për organizim të referendumit rreth marrëveshjes me Bullgarinë, edhe zyrtarisht nesër do ta fillojë procesin e grumbullimit të 100.000 nënshkrimeve për thirrje të referendumit, për shkëputjen e Marrëveshjes me Bullgarinë e cila, sipas kësaj partie, është marrëveshje e dëmshme.

Nënshkrimet e tubuara nga qytetarët do të dorëzohen deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor, i cili duhet të bëjë verifikimin, e më pas të gjendet para parlamentarëve. Sipas VMRO-DPMNE-së, deklarimi i qytetarëve duhet të jetë i detyrueshëm dhe prandaj i bëjnë thirrje LSDM-së që të mos taktizojnë me vullnetin e qytetarëve.

Shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, e bëri të ditur edhe pyetjen se si duhet ajo të duket në pyetjen e referendumit.

“A jeni për lëshimin e rëndësisë të Ligjit për ratifikim të marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në mes RMV-së dhe Republikës së Bullgarisë e shpallur në Gazetën Zyrtare me numër 12/2018 nga data 18.01.2018.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Pendarovski: Pyetja e referendumin, kundër BE-së

Sipas presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, me vet pyetjen e referendumit po ndërpritet rruga eurointegruese e vendit.

“Ju nëse i jepni përkrahje një referendumi të tillë do ta kisha thënë anti-europian, me vet pyetjen që po parashtrohet, nuk është e patjetërsueshme që ta ndryshojmë kushtetutën, sepse njëra me automatizëm e largon tjetrën. Apo më shkurtë atë të cilën e kemi pritur, atë edhe e morëm, pra morëm pyetje me të cilën qytetarët e RMV-së po i pyesin apo do të pyesin a do të doni ta ndalim rrugën që na dërgon drejt Bashkimit Europian.”,- theksoi presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Kovaçevski: Referendumi është për interesat e Mickovskit

Për këtë çështje u deklarua edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i cili pohoi se nuk duhet që të dëmtohen qytetarët e vendit, duke shtuar se interesi i këtij referendumi është vetëm për interesat private të Mickovskit dhe vet VMRO-DPMNE-së.

“Lideri i kësaj partie, në mënyrë publike, para kamerave, në gjuhën bullgare, i është drejtuar kryeministrit të Bullgarisë se ai e përkrah Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, ndërsa tani del me pyetje dhe ide për mbajtjen e referendumit, i cili është kundër Marrëveshjes me Bullgarinë, të cilën marrëveshje para kamerave e ka përkrahur. Kjo tregon për një politik jo-konzistente, duke i vënë në pikë të parë interesat e veta dhe të subjektit të tij politik, politika të cilat nuk kanë përkrahjen e qytetarëve, por nuk gëzojnë mbështetje as tek partitë opozitare në RMV.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Nga ana tjetër, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka pohuar se për çdo ditë po bien gënjeshtrat dhe manipulimet, por edhe përpjekjet për destabilizim të vendit, apo bllokim të perspektivës europiane të vendit.

“Iniciativa është për nevojat e tij të brendshme partiake, e cila nuk ka përkrahjen e qytetarëve, nuk ka përkrahjen e partive opozitare dhe prandaj edhe nuk do të kalojë.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.

Nëse shpallet referendumi, ai mund dhe duhet të mbahet më se shpejti gjatë pranverës, vitin e ardhshëm, thonë nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas kësaj partie, tani kanë në dispozicion 3 muaj për grumbullimin e 150.000 nënshkrimeve dhe 3 muaj të tjera për përgatitjen e institucioneve të shtetit për mbarëvajtjen e së njëjtës. (Fitim Kryeziu, TVM2)