Ukraina mbështet krijimin e zonës së sigurtë në Zaporizhja

07.09.2022 11:34

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky....

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur thirrjet e agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një zone të sigurt në centralin e Zaporizhjës.

Ky central bërthamor është okupuar, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit. Kjo uzinë ka qenë nën sulme të vazhdueshme, teksa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për rrezikimin e centralit. Granatimet thuhet se mund të shkaktojnë lirim të materialeve rrezatuese. Në raportin e publikuar më 6 shtator nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore u tha se prezenca e pajisjeve ushtarake ruse në central mund të minojë sigurinë e ndërtesës bërthamore.

Granatime pati edhe gjatë javës së kaluar kur një ekip i kësaj agjencie të OKB-së qëndroi në Zaporizhja, tha kreu i kësaj agjencie, Rafael Grossi, paralajmëroi se ka rrezik real për fatkeqësi bërthamore.

Në ditën kur u publikua raporti, Rusia akuzoi Ukrainën se ka sulmuar zonën pranë centralit tri herë. Ndërkaq, Kievi i ka akuzuar forcat ruse se po përdorin këtë uzinë bërthamore si mbrojtje nga granatimet.

Këshilli i Sigurimit mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme pas publikimit të raportit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se “si hap i parë, forcat ruse dhe ukrainase duhet të zotohen se nuk do të përfshihen në asnjë aktivitet ushtarak ndaj centralit ose nga centrali bërthamor”.