Konferenca e NATO-s për komunikim: Komunikimet strategjike luftojnë dezinformatat
Si anëtare e NATO-s, RMV në mënyrë të përkushtuar....

Si anëtare e NATO-s, RMV në mënyrë të përkushtuar kontribuon në sigurinë kolektive, ka theksuar kryeministri Dimitar Kovaçevski në hapjen e Konferencës së NATO-s për komunikuesit, nikoqir i së cilës është RMV.
Sipas tij, sfera e informimit asnjëherë nuk ka qenë më e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin.
Ndërkohë, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska theksoi se realiteti i ri në Kontinentin e Evropës me luftën në Ukrainë, na tregoi rëndësinë e informatave dhe komunikimeve.
“Aktivitetet ushtarake dhe politike janë ngushtë të lidhura me komunikimin e tyre dhe me aftësinë që të njëjtat t’i afrojmë sa më saktë dhe më afër qytetarëve. Në epokën e dezinformatave dhe sulmeve hibride, komunikimet strategjike kanë rol të rëndësishëm, pasi që mundësojnë informata të sakta dhe të vërtetuara për qytetarët përkundër dezinformatave, qëllimi i të cilave është të mbjellin frikë dhe pasiguri.”,- tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Për ne komunikimi është kyç dhe atë më së miri na i tregoi realiteti i ri në kontinentin e Evropës. 24 shkurti na tregoi se atë që e vlerësonim si të pamundur për fat të keq u bë realitet. Agresioni, lufta e një shteti ndaj një shteti tjetër sovran që shkaktoi vuajtje të mëdha njerëzore dhe shkatërrim.”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Gjenerali Filip Llavinj theksoi se informacionet po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë për destabilizimin e vendeve, ndërsa ndihmës sekretari gjeneral i NATO-s për diplomaci publike, Baiba Brizhe, tha se Rusia është e angazhuar dhe e kyçur në konkurrencën strategjike në hapësirën e informatave si asnjëherë deri më tani.
“Tani është e mundur që të synohen mendjet e njerëzve, të ndryshohet jo vetëm ajo që e mendojnë por edhe atë se si mendojnë, njohuritë. Si komandë për përmirësimin e mënyrës së luftës së NATO-s, komanda aleate për trasformim ka për detyrë t’i sigurojë këshillat më të mira luftarake.”,- u shpreh komandanti i Komandës Aleate të Trasnformimit, Filip Llavinj.
“Investimi në kontinuitet në ndërtimin e aftësive të forta të komunikimit është me të vërtet kyçe. Ajo është një aftësi e barabartë si aftësitë tjera mbrojtëse.”,- theksoi ndihmës sekretari gjeneral i NATO-s për diplomaci, Baiba Brazhe.
Në suaza të konferencës dy ditore në të cilën marrin pjesë rreth 300 persona nga 30 vende, u organizuan panel diskutime dhe grupe të punës. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
