Maqedoni
Vazhdon greva e mjekëve amë, Sali: Kërkojmë zgjidhje, greva viktimizon pacientët
07.09.2022 16:00
Vazhdon në ditën e tretë greva e Shoqatës së Mjekëve amë të cilët po bojkotojnë punën e tyre...

Vazhdon në ditën e tretë greva e Shoqatës së Mjekëve amë të cilët po bojkotojnë punën e tyre dhe trajtojnë vetëm rastet urgjente deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Nuk janë rritur as pagat as pikët për mjekët amë dhe infermierët. Në shëndetësinë terciale dhe sekondare nuk janë rritur pagat dhe shumica e mjekëve ikin nga vendi dhe vlerësoj se Maqedonia e Veriut për 10 vite do të mbetet pa mjekë.”,- tha një mjek amë.
Disa nga mjekët vazhdojnë punën e tyre dhe nuk pajtohen me grevën, ata thonë se nuk mund të kthejnë fëmijët dhe pensionistët e sëmurë.
“Ne morëm vërtetime nga Ministria dhe Fondi se janë duke punuar në zgjidhjen e këtyre problemeve për këtë edhe ne iu dhamë hapësirë të realizojnë diçka nga kjo. Por, edhe ndoshta nuk pajtohemi me mënyrën e organizimit të grevës kur tre ditë të jemi në ordinancë e mos t’i shërbejmë pacientët.”,- theksoi mjeku amë Bekim Ismaili.
Ndërkohë ministri i shëndetësisë Bekim Sali thotë se janë të njohura problematikat dhe kërkesat e mjekëve amë pasi që janë zhvilluar takime për zgjidhjen e tyre por nuk arsyetohet mënyra e bojkotit të punës ku viktimë mbeten pacientët.
“Të gjitha kërkesat janë legjitime dhe për të gjitha kërkesat ne kemi thënë se punojmë dhe do të punojmë në drejtim të zgjidhjes së problemit por mënyra e protestimit apo bojkotit të punës në të cilën viktimë e gjithë kësaj janë pacientët nuk mund ta arsyetoj. Nëse ka pakënaqësi, nëse ka mangësi në sistem ato zgjidhen përmes bisedës, bashkëpunimit, grupeve të punës e takimeve të vazhdueshme të ekspertëve deri në ardhjen në një zgjidhjeje”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Mjekët amë gjatë ditëve të grevës nuk kanë lëshuar receta dhe udhëzime, ndërsa kërkojnë rritje të pagave dhe pikës së kapitullit, aplikimin e shëndetësisë elektronike, rritjen e buxhetit për specialistët, laboratorët dhe ambulancat rurale si dhe të mos mbyllen zyrat e mjekëve që duan të vazhdojnë punën mbi 64 vjeç.
LEUNORA KALIQI
