Maqedoni

8 shtatori – Dita e Pavarësisë, Xhaferi: Përcaktimet kushtetuese, detyrimi ynë

07.09.2022 17:30

Stabilitet politik, unitet dhe respektimin e përcaktimeve kushtetuese kërkoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi...

Stabilitet politik, unitet dhe respektimin e përcaktimeve kushtetuese kërkoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në pritjen që organizoi me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Sipas tij, në këto tre dekada vendi ia doli të anëtarësohet në NATO, duke plotësuar kështu njërin nga përcaktimet kryesore të vendit. Megjithatë, sfidat e kohës duhet marrë seriozisht, theksoi Xhaferi para të pranishmëve.    
 
“Mos e gënjejmë veten, na pret një periudhë e vështirë në çdo aspekt. Ekonomik, energjetik, shëndetësor, bile edhe të sigurisë, sepse konfliktet mund të përhapen dhe zgjerohen shumë lehtë. Dhe prandaj, jostabiliteti politik dhe tensionimi është gjëja që na duhet më së paku për momentin në shtet. Të demonstrojmë pjekuri, përgjegjësi, ndërgjegje dhe vetëdije të lartë dhe ta vëmë interesin e qytetarëve dhe shtetit mbi interesat personale dhe partiake. Të jemi politikisht të mençur, të qëndrojmë fortë pas vendimeve tani më të marra me kredibilitet plotësues ndërkombëtar dhe ta kuptojmë seriozitetin e situatës.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi theksoi se procesi i eurointegrimit nuk ka alternative dhe as zëvendësim. Është koha për të vendos sistem të vlerave që do të jetë garanci e mjaftueshme se secili prej tyre do të mund  të përmbushë pritjet e veta, shoqëri në të cilën të gjithë do të ndjehemi të barabartë, të respektuar, të njëjtë para ligjit dhe drejtësisë, theksoi kryeparlamntari Xhaferi. 
 
SHPËTIM NUREDINI