Maqedoni

Punësimet në MPJ, Osmani shuan heshtjen: Ejupi, pjesë e administratës

07.09.2022 18:24

Lidhur me reagimet e shumta në opinion për punësimet e fundit në Ministrinë e Jashtme...

Lidhur me reagimet e shumta në opinion për punësimet e fundit në Ministrinë e Jashtme, me theks të ish prezantueses, Besmira Ejupit, e cila para do kohe u përfol si kandidate për konsull, ministri i jashtëm Bujar Osmani sot përmbylli dilemat e shumta, duke deklaruar se ajo është vetëm një administratore e punësuar në protokoll.
 
Ai më tej sqaron se e njëjta ka përfunduar në  MPJ si rezultat i sistematizimit të bërë nga Ministria e Sistemit Politik, nga ku janë sistematizuar edhe 12 administratorë të tjerë. Osmani madje thotë se deri sa ai është në krye të diplomacisë, Ejupi nuk do të jetë konsull.  
 
“Disa nga bashkëpunëtorët janë marrë përmes sistematizimit, pra përmes programit K5, e disa përmes marrëveshjes direkte. Kështu që informacioni është pjesërisht i saktë, ajo është marrë nga Ministria për Sistem Politik, por në pozitën e bashkëpunëtorit në protokoll dhe kjo është një pozitë fillestare në MPJ. Aktualisht kemi shpallje për 16 bashkëpunëtorë të rinj, kështu që kushdo që dëshiron të punojë në diplomaci është i lirë të aplikojë. Dhe do të them se ajo as nuk është kandidat për konsull e as nuk do të jetë kandidat për konsull deri sa jam unë ministër për Punë të Jashtme.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.