Maqedoni
Takimi Osmani - Hukstra, Holanda përkrah RMV-së në procesin integrues
07.09.2022 18:42
Holanda do të qëndrojë përkrah Maqedonisë së Veriut në procesin negociues...

Kjo u tha në takimin mes ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, me homologun e tij holandez, Wopke Hukstra. Ministri holandez tha se Maqedonia duhet të vazhdojë të luftojë korrupsionin dhe të zbatojë reformat e nevojshme.
Nga ana tjetër, Osmani tha se Holanda ka qenë përkrahëse e madhe në zhvillimin e demokracisë në vend, ndaj mbështetja e saj në procesin negociues është me rëndësi të madhe.
“Kuptohet se aderimi në BE kërkon kohë, por kemi biseduar hollësisht lidhur me këtë dhe se si mund të ndihmojmë. Folëm për rëndësinë e transparencës, besimin e opinionit, zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe se sit ë merremi me këto çështje. Në emër të Holandës ju them se ne do të vazhdojmë tu përkrahim si shtet, ndërsa vepron dhe punoni drejtë anëtarësimit tuaj.”,- tha ministri i jashtëm i Holandës, Wopke Hukstra.
“Po hapet edhe kapitulli i fundit për anëtarësim të plotë drejt BE-së. Natyrisht se kjo nënkupton edhe shumë sfida për Maqedoninë e Veriut drejtë përmbushjes së kritereve dhe partneriteti dhe bashkëpunimi me Mbretërinë e Holandës do të jetë shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm që RMV-së të përshpejtojë këtë rrugëtim drejt BE-së.”,- theksoi ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
Osmani gjithashtu i ka kërkuar homologut të tij për koordinim të përbashkët të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në përballjen me krizën energjetike. Nga ana tjetër, Hukstra tha se do te thërrasin mbledhje ku përveç vendeve anëtare të unionit, pjesëmarrëse do të jenë edhe vendet aspirante.
Të dy ministrat e jashtëm thanë se janë dakorduar për të qëndruar krah për krah me Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
ERSAN PAJAZITI
