Shqipëria prish marrëdhëniet me Iranin, mbyllet Ambasada iraniane në Tiranë

08.09.2022 13:53

Diplomatët iranianë janë larguar nga ambasada e Iranit në Tiranë....

Diplomatët iranianë janë larguar nga ambasada e Iranit në Tiranë, për tu larguar nga Shqiupëria, me kërkesë të qeverisë shqiptare, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Një veturë “Benz” u largua që në orët e mëngjesit nga ambasada e Iranit, derisa punonjësit u larguan në këmbë.

Godina është rrethuar me shiritin policor e policisë shqiptare vazhduan me procedurat e kontrollit në seli.

Forca të shumta policie dhe RENEA pritën mesditën, kur mbaronte afati i lënë nga qeveria për largimin e diplomatëve iranianë, për të hyrë në godinën e ambasadës iraniane.

Flamuri i Iranit vijon të valëvitet, pasi diplomatët nuk pranuan të ulin simbolin e tyre kombëtar. Selia diplomatike ka qenë me qira.

Ambasada Iraniane kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme më shum afat për largim por një kërkesë e tillë nuk është pranuar.

Qeveria shqiptare njoftoi një ditë më parë se ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Vendim vjen pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare. Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se sulmi ka ardhur nga Irani.