Londër, u shua jeta e Mbretëreshës Elizabeth II

09.09.2022 12:29

Në moshën 96 vjeçare u shua jeta e mbretëreshës....

Në moshën 96 vjeçare u shua jeta e mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta e Dytë.

Mbretëresha Elizabeth II është monarkja më jetëgjatë në historinë britanike, ajo qëndroi 70 vite në fron. Monarkja ka katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe 12 stërnipër.

Liderët botërorë dhe qytetarët në të gjithë botën kanë nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, e cila ndërroi jetë të enjten në moshën 96-vjeçare në Pallatin Balmoral në Skoci.

Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten mbrëma në Londër afër Pallatit Buckingam duke vendosur lule.Kurora dhe buqeta në nderim të mbretëreshës u vendosën edhe në Kështjellën Uindsor dhe në rezidenca të tjera  mbretërore, për të nderuar monarken që mbretëroi për 70 vite.

Homazhe në nder të saj u bënë nga SHBA-ja e Kanadaja deri në Japoni e Australi nga qytetarë të ndryshëm të cilët vendosën lule jashtë ambasadave apo katedraleve. Princi Charles, 73 vjeç, trashëgimtar i fronit që në moshën tre vjeçare, tani është mbret i Britanisë së Madhe.

Në një deklaratë, Buckingham Palace tha: “Mbretëresha ndërroi jetë paqësisht në Balmoral këtë pasdite. Mbreti dhe bashkëshortja e tij do të qëndrojnë në Balmoral këtë pasdite dhe do të kthehen në Londër nesër.”

Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në mbarë botë, përfshirë në Uashington, Berlin, e Bruksel, ndërsa në Paris Kulla Eiffel fiku dritat në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.Liderët botërorë shorehën ngushëllime për familjen mbretërore, duke lartësuar figurën e papërsëritëshme të Mbretëreshës Elizabeth.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”. Telegrame ngushëllimi për vdekjen e mbretëreshës britanike kanë dërguar edhe qevëeria dhe presidenti i RMV-së si dhe politikanë nga vendi.

Britania e Madhe  ka shpallur 10 ditë zie pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth.