Lajçak takoi Kurtin në Prishtinë, insistohet në përshpejtimin e dinamikës së dialogut
I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.....

I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas takimit Lajçak tha se me Kurtin folën për dialogun dhe mënyrën për ta çuar procesin përpara.
Ai tha se diskutimi me Kurtin ishte i thellë dhe i fuqishëm, por nuk mund të jep më shumë detaje, përveç asaj se folën edhe për mënyrën se si të sjellin dinamikë më të madhe në procesin e dialogut.
“Patëm takim për më shumë se dy orë më kryeministrin Albin Kurti, ku disuktuam për dialogun dhe për të sjellë një dinamikë të re në këtë proces dhe për ta çuar më përpara. Besoj se ju e kuptoni se nuk mund të flasim në detaje, sepse do të kemi një diskutim të ngjashëm sot më vonë me presidentin Vuçiq, prandaj këtë mund ta them tani, sepse përfunduam pjesën e parë të misionit tonë” – tha i Dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Edhe nga kabineti i Kryeministrit Kurti, u njoftua për takimin e kryeministrit me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak, ndërsa në takim ishin të pranishëm edhe dy këshilltarët e Scholz dhe Makron, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner.
Në këtë takim, siç bëhet e ditur, Kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Kurti ka ripërsëritur se finalja e dialogut duhet të jetë profitabile për qytetarët e të dyja vendeve dhe që të përmbajë njohjen reciproke në qendër.
“Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Pas takimit në Prishtinë, treshja evropiane udhëtoi për në Beograd për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. (Gyltene Sinani, TVM2)
