Botë

Shqipëri, hakerët iranian sulmojnë sistemin TIMS

10.09.2022 16:04

Hakerët Iranian kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare në Shqipëri...

Sulmi është evidentuar nga specialistët e policisë mbrëmjen e të premtes rreth orës 22:00, që paraqet sulmin e dytë të hakerëve të sponzoruar nga Irani, pas atij të 15 korrikut, që çoi në ndërprerjen e mardhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin.
 
Kryeministri Edi Rama në komentin e tij mbi sulmin kibernetik ka thënë se ky sulm i ri kibernetik vjen nga të njëjtët agresorë, tani më të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë. 
 
“Sulmi është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të pa-penetrueshme sistemet tona digjitale” thekson kreu i qeverisë shqiptare. 
 
Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi departamenti i thesarit amerikan shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. 
 
SHBA akuzuan Iranin dhe përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, ndërsa sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse.
 
Në deklaratën e lëshuar nga DASH thuhet se ata janë gjithashtu përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve qësupozohej se ishin nga qeveria shqiptare dhe informacioneve personale të lidhura me banorët shqiptarë.