Botë

Ukrainë, forcat ukrainase çlirojnë rreth 2 mijë kilometra

10.09.2022 18:16

Forcat ukrainase kanë rikthyer nën kontrollin e tyre më shumë se 2.000 kilometra katrorë...

Forcat ukrainase kanë rikthyer nën kontrollin e tyre më shumë se 2.000 kilometra katrorë të territorit në zonat jugore dhe lindore, që nga fillimi i kundër ofenzivës për tu çliruar nga okupimi rus. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se më shumë se 30 vendbanime janë “çliruar” në rajonin e Harkivit.     
   
“Ushtria jonë, inteligjenca dhe Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës vazhdojnë aksionet aktive me sukse në disa fusha operacionale. Tani për tani, Forcat e Armatosura çliruan dhe morën kontrollin e më shumë se 30 vendbanimeve në rajonin e Kharkiv. Në disa fshatra të rajonit vazhdojnë aksionet për kontrollimin dhe sigurimin e territorit, gradualisht po marrim vendbanime të reja nën kontrollin tonë – po kthejmë flamurin ukrainas dhe mbrojtjen për popullin tonë kudo.  Jam mirënjohës ndaj të gjithë djemve dhe vajzave tona, burrave dhe grave që po luftojnë për Ukrainën!”, u shpreh Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.         
                           
Ukraina ka nisur së fundi një kundërofensivë për të kthyer kontrollin e territorit që ia ka pushtuar Rusia, pas nisjes së luftës në fund të muajit shkurt. Vitaly Ganchev, zyrtar i lartë rus në rajonin e Harkivit, e ka pranuar se forcat ukrainase kanë shënuar “fitore të rëndësishme”.
 
Mediat Botërore kanë raportuar se forcat ukrainase tanimë kontrollojnë mbi gjysmën e Kupiansk, ndërsa mediat Ukrainase kanë raportuar prononcimet e ushtris Ukrainase të cilët së fundmi kanë pohuar se Kupiansk është “çliruar plotësisht”, ndërsa trupat ruse janë larguar nga Izyumi.
 
Të enjten vonë, Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA tha se priste që Kupiansk të bjerë brenda 72 orëve dhe se rimarrja e tij do të “godiste rëndë” linjat tokësore të komunikimit të Rusisë në Izyum. Nga ana tjetër më shumë se 1.300 trupa paramilitare, besnike të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, kanë arritur në rajonin ukrainas të Hersonit, si përforcim për ushtrinë ruse.
 
“Për të rritur forcën ruse në territoret e pushtuara përkohësisht në rajonin Herson, ka arritur njësiti i ashtuquajtur ‘Kadyrovtsy’, me më shumë se 1.300 anëtarë”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
 
Hekurudhat sipas ushtris Ukrainase kanë rendësi për ushtrinë ruse pasi përmes tyre ata lëvizin armët, pajisjet e tjera si edhe municionet, dhe se ndërprerja e rrjetit hekurudhor konsiderohet si një goditje e rëndë për vijimin e ofensivës ruse në Ukrainë.
 
Pavarësisht fitoreve të rendësishme të këtyre ditëve të ukrainasve, të cilat përllogariten në çlirimin e 2 mijë kilometrave katrorë, rusët mbajnë ende të pushtuara rreth 60 mijë kilometra katrorë të Ukrainës në Donbas, Kherson si edhe Krimenë.
 
FITIM KRYEZIU