Favoritët pa problem ndaj kundërshtarëve

20.01.2015 14:38

Tenisti zviceran, Stanislas Wawrinka, që është mbrojtësi aktual i trofeut të Grand Slamit, Australian Open, ka nisur fluturimthi rrugën e vështirë për mbrojtjen e titullit...

Ai ka mposhtur turkun Marsel Ilhan 3-0 në sete duke e ngritur tempon e lojës sa kalonte koha për të përfunduar ndeshjen pa telashe në Rod Laver Arena.

Edhe Novak Djokovic, numri një i botës së tenisit, ka nisur furishëm Grand Slamin e parë të vitit, Australian Open, duke e mposhtur sllovenin, Aljaz Bedene, 3-0 në sete. Serbi është favorit i madh për të fituar këtë stinor Australianin pas përfundimit të shkëlqyeshëm të vitit 2014. Djokovic pas fitores ndaj Bedenes, pret në xhiron e radhës rusin Andrey Kuznetsov.

Garat më tej I vazhdojn edhe Nishikori, Lopez, Verdasko, Ferer, Hujit, Monfilis e tjerë.

Vendasja Samanta Stosur kalon rumunen me dy sete të shpejta të fituara. Australianja, që ka përkrahjen e madhe të publikut vendas në Grand Slamin e parë të vitit, ka mposhtur rumunen Monica Niculescu në dy sete. Stosur, e mësuar me motin australian ka eliminuar rumunen 2-0 në sete me 83% të pikëve të fituara nga servat e para të saja.

Bellorusja Victoria Azarenka është njëra ndër teniseret që e do terrenin Australian të tenisit. Ajo ka mposhtur amerikanen Sloane Stephens 2-0 në sete për ta eliminuar brenda gjysmë ore lojë. Dy herë fituesja e këtij turneu, Azarenka 25 vjeçe, ka mposhtur për të tretën herë me radhë në Melbourne Park amerikanen 21 vjeçe, duke nisur mbarë dhe duke treguar se edhe njëherë mund të shkojë lart në këtë garë.

Edhe amerikanja me përvojë, Serena Williams, ka arritur që të fitojë setin e dytë me vështirësi ndaj belges, Alison Van Uytvanck, për të dalë në raundin e dytë të Australian Openit. Belgja u tregua shumë e fuqishme në setin e dytë, përkundër se në setin e parë thuajse nuk kishte bërë fare rezistencë ndaj Williamsit. Sidoqoftë, Williams arriti të dalë në raundin e dytë ku e pret Vera Zvonareva, që eliminoi më parë Ons Jabeurin.

Fitore kanë shënuar edhe Venus Uiljams, Hantuçova, Cibullkova, Voznjaki, Kvitova,  e tjerë.