Ekonomi
Banka Botërore: Maqedonia me rritjen më të madhe ekonomike në rajon
20.01.2015 15:01
Maqedonia këtë vit do të ketë rritje ekonomike më të lartë nga vendet e Evropës Juglindore...

Parashikimet e Bankës Botërore janë se rritja e bruto prodhimit vendor do të jetë mbi 3,5%, që paraqet rritjen më të lartë në rajon. Rritja në Maqedoni bazohet kryesisht në investimet publike dhe eksporti i lidhur me investimet direkte.
Ekonomisti nga Banka Botërore, Doerte Doemlant, vlerëson se Maqedonia në vitin 2014 kishte rritje më të latë nga vendet e rajonit. Kjo kryesisht bazohet në atë se vendi nuk u përfshi nga vërshimet nga të cilat u prekën disa nga vendet e rajonit.
Por, Maqedonia ka edhe ambient të mirë ekonomik dhe marrëdhënie të mira me partnerët eksportues.
“Vlerësoj se në vitin 2015 rritja do të mbetet në nivel të lartë, e madje edhe mund të përshpejtohet. Edhe më tej do të duhej të rritet eksporti i lidhur me investimet e huaja, por shohim edhe përmirësime të caktuara në sektorët eksportues tradicional. Investimet publike edhe më tej do të mbeten shtytësit kryesorë të rritjes, por ka edhe përmirësime të caktuara në pjesën e kërkesave vendore, që vlerësojmë se është shenjë e mirë”- deklaroi ekonomisti i Bankës Botërore, Doerte Doemlant.
Sa i përket papunësisë, megjithëse ajo mbetet në nivel të lartë edhe në Evropë edhe në Maqedoni, vendi qëndron më mirë edhe në këtë sferë në krahasim me vendet e rajonit, vlerësojnë nga Banka Botërore.
“Papunësia në Evropë është në nivel të lartë historik, por kur e krahasojmë Maqedoninë me vendet e rajonit, shohim performansë relativisht të fuqishme në pjesën e rritjes ekonomike, e kjo ndikon edhe në uljen e papunësisë”- tha Doemlant.
Po ashtu, sipas këtij vlerësimi mbi 3% rritje pritet të kenë Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, përderisa Bosnja e Hercegovina pritet që të shënojë rritje deri në 1%, ndërsa Serbia do të jetë me bilanc negativ prej 0,5%.
Shkas për rritjen e vogël ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi janë vërshimet e vitit të kaluar, që lanë pasoja mbi ekonomitë e këtyre vendeve.
Sa u përket borxheve publike, ato ende janë nën nivelin mesatar në të gjitha gjashtë vendet e rajonit, por po rritet shpejtë, prandaj qeveritë duhet të kenë kujdes me investimet, përkatësisht të investohet në sferat me potencial për realizimin e përfitimit të lartë ekonomik, vlerëson ekonomisti nga Banka Botërore, Doerte Doemlant.
GYLTENE SINANI
