Slloveni, Pendarovski pjesë në procesin Bërdo-Brioni
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski....

Presidenti Stevo Pendarovski, merr pjesë në takimin e 11-të, të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, me ftesë të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahorit dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviqit.
“Në takim do të diskutohet për temat kryesore aktuale në rajon dhe Evropë, për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, për situatën e sigurisë dhe agresionin rus në Ukrainë, si dhe për masat dhe mënyrat për t’u përballur me krizën energjetike dhe ekonomike me të cilat po përballemi si pasojë e luftës në Ukrainë”, njoftoi kabineti i Pendarovskit.
Siç informon kabineti i Pendarovskit, në takim, marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryesuesi dhe dy anëtarët e Kryesisë së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, Milorad Dodik dhe Zheljko Komshiq, presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Procesi Bërdo-Brioni, si nismë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, është formuar në vitin 2010, me qëllim të përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes zgjidhjeve së çështje të hapura politike dypalëshe dhe rajonale, dhe paraqet një nga nismat më të rëndësishme politike në Evropën Juglindore, që njëherësh e hapi rrugën për formimin e Procesit të Berlinit.
