Maqedoni
Protesta, u kërkua lirimi i gazetarit Kezharovski pa kusht
20.01.2015 15:54
Me thirrje për liri dhe pa kusht për gazetarin, Tomisllav Kezharovski, si dhe thirrje për liri të shprehjes, qindra protestues...

Me thirrje për liri dhe pa kusht për gazetarin, Tomisllav Kezharovski, si dhe thirrje për liri të shprehjes, qindra protestues, kryesisht gazetarë dhe qytetarë të tjerë kanë protestuar para Qeverisë dhe Gjykatës së Apelit.
Në protestë i pranishëm ishte edhe vetë gazetari, Tomisllav Kezharovski, të cilin gjykata sot e ka liruar me kusht për shkaqe shëndetësore.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, ftoi qytetarët të solidarizohen për lirinë e Kezharovskit, sepse kështu, sipas tij, do t’i kontribuojnë lirisë për vetveten.
“Duhet të solidarizohemi me lirinë e një gazetari, sepse kështu solidarizohemi me lirinë tuaj, me lirinë tonë. Kjo protestë është solidaritet me të gjithë ata shqiptarë që kjo qeveri e korruptuar i dërgoi nëpër burgjet e Maqedonisë. Kjo protestë do të shërbejë që Maqedonia të jetë e lirë, demokratike dhe evropiane. Vetëm në këtë Maqedoni shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë mund të shpresojnë se do të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, Tamara Çaushidis, para protestuesve tha se “jemi këtu për të treguar se Kezharovski nuk është vetë dhe për ta kthyer dinjitetin e gazetarisë”.
“Gjykata ka pranuar se është i pafajshëm, çfarë do të thotë kjo se nuk gjykohet sipas drejtësisë por sipas forcës dhe presionit, e pra ja ku e kanë presionin. Do të përpiqemi të luftojmë, sepse këtë ia kemi borxh Kezharovskit, Mladenovit dhe të gjithë gazetarëve të heshtur dhe të nënçmuar, ua kemi borxh edhe qytetarëve. Prandaj po përpiqemi ta dëshmojmë pafajësinë e Kezharovskit, nuk kënaqemi me zvogëlimin e dënimit, këtë e di e gjithë bota”- tha kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, Tamara Caushidis.
Me propozim të drejtorit të Burgut të Shkupit, gazetari Tomislav Kezharovski është liruar me kusht.
Vendimi për lirimin e përkohshëm të gazetarit është marrë nga drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve. Në vendimin e lirimit thuhet se Kezharovski duhet të rikthehet në burg më 18 shkurt.
Në protestë ishte i pranishëm edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.
Por, Shoqata e Gjykatësve e Maqedonisë i ka dënuar protestat kundër vendimeve gjyqësore dhe apelon që në rastin "Kezharovski" të mos përdoren fyerje dhe nënçmime të gjykatave.
"Shoqata e Gjykatësve e Republikës së Maqedonisë i dënon protestat kundër vendimeve gjyqësore pa dallim që u garantua e drejta e protestës e secilit, vendimet gjyqësore munden të rishqyrtohen vetëm në instancë gjyqësore dhe nuk është mirë të pengohet puna e gjykatave dhe me këtë rast të përdoret demokracia rrugore për ndryshim të vendimeve, të cilat edhe ata që protestojnë janë të vetëdijshëm se nuk mund të bëjnë rishqyrtim jashtë institucioneve dhe në instancë gjyqësore të vendimit gjyqësor"- thuhet në kumtesë, e cila është lëshuar pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj shoqate.
NAIM RAMADANI
