Abetarja e unifikuar, Rama: Do bëjmë çmos që të shtrihet edhe në RMV

12.09.2022 14:36

Pas Kosovës, synimi i qeverisë shqiptare....

Pas Kosovës, synimi i qeverisë shqiptare është edhe aplikimi i abetares së unifikuar, në Maqedoninë e Veriut.

Në kongresin Kombëtar të Arsimit, që mbahet në ditën e parë të vitit të ri shkollor, kryeministri Edi Rama tha se përveç se me Shkupin, për këtë çështje po diskutohet edhe me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Por futja e Abetares së unifikuar që ne do të bëjmë çmos që të shtrihet dhe në vende të tjera, jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë,  Maqedonia e Veriut tanimë e ka aprovuar në parim futjen e saj në të gjitha klasat ku fëmijët e popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut mësojnë gjuhën shqipe, po ashtu kemi filluar të diskutojmë me Mali e Zi, me Serbinë për gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës e më tutje.” – tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama: Gjuha shqipe në rrezik, të mbrohet si anglishtja

Përballë ekspertëve të arsimit, Rama ngriti shqetësimin se gjuha shqipe është në rrezik, ndaj duhet të mbrohet si anglishtja.

“Përmes lobimit politik, të bindim Bashkimin Europian që ta përfshijë edhe sistemin universitar të vendeve tona në sistemin universitar evropian. Digjitalizimi si prioritet kryesor, patjetër sporti, arti dhe zejet si prioritete për t’i krijuar fëmijëve hapësirat alternative. Gjuha është më e rrezikuara, është koha për ta diskutuar  futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel të arsimimit. Si anglishtja, provim për mbrojtje” – u shpreh Rama.

Në bankat e shkollës, sot u ulën rreth 450 mijë nxënës, nga të cilët 29 mijë në klasë të parë. Sipas opozitës, sivjet janë 390 mijë nxënës më pak se vitin e kaluar dhe kjo ndodh nga largimi masiv i shqiptarëve për emigrim. (Luljeta Ndoka, TVM2)