Maqedoni

Ivo Vajgëll: bisedimet, parakusht për anëtarësim në BE

20.01.2015 16:26

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgëll, në prezantimin e projekt-rezolutës së tij të parë për Maqedoninë...

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgëll, në prezantimin e projekt-rezolutës së tij të parë për Maqedoninë kërkoi hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, që, sipas tij, është çështje e rëndësishme dhe parakusht kur bëhet fjalë për përparimin e vendit. 
 
Komiteti për Politike të Jashtme e anuloi debatin e paraparë për ditën e djeshme, me ç’rast ka reaguar edhe vetë raportuesi Vajgëll, duke thënë se kjo gjë nuk është korrekte ndaj Maqedonisë si shtet, si dhe ndaj atij si raportues.
 
Paraprakisht, gjatë prezantimit të projekt-rezolutës për Maqedoninë, Ivo Vajgëll theksoi se hapja e negociatave paraqasëse me vendin do ta përforcojë stabilitetin rajonal dhe do të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e kontesteve bilaterale, do të përforcojë kohezionin, sepse tek e fundit të gjithë po bëjnë përpjekje drejt arritjes së qëllimit të përbashkët.
 
Parlamenti Evropian për të nëntën herë parasheh fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Kjo është një mundësi e mirë e cila i jep kahje tjetër shtetit.
 
Kjo do të thotë gatishmëri për kompromis, si një parakusht për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, e sidomos atyre me karakter dypalësh, andaj, është shprehur Vajgëll, nuk ka hapësirë dhe arsye për të mos u hapur bisedimet. Këto janë hapa të nevojshëm të cilët janë në frymën e fqinjësisë së mirë, ka theksuar më tej raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Ivo Vajgëll.
 
Duke marrë parasysh faktin se në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ka kaluar një kohë në Shkup për t’u njoftuar personalisht me situatën aktuale, Vajgëll ka thënë se ka biseduar me përfaqësuesit qeveritarë, me përfaqësues të partive politike, me shoqërinë civile, si dhe me përfaqësues të mediave.
 
Dhe, sipas tij, situata aktuale në Maqedoni për të nuk është aspak e panjohur, sepse zhvillimet në vend po i ndjek tashmë 15 vite me radhë. 
 
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Ivo Vajgell, ka theksuar gjithashtu edhe faktin se nuk është i habitur aspak nga problemet të cilat janë përfshirë në projekt-rezolutën.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU