Ekonomi
Këshilli i Investitorëve të Huaj publikoi “Librin e Bardhë”
20.01.2015 16:41
Këshilli i Investitorëve të Huaj në vend publikoi “Librin e Bardhë” drejtuar qeverisë me propozime konkrete për përmirësimin e klimës ekonomike në vend...

Ata, midis tjerash, kërkojnë që të përmirësohet dialogu midis sektorit privat dhe qeverisë, si dhe shkurtimin e procedurave administrative gjatë hapjes së bizneseve të reja.
Kryetari i Këshillit, Huan Pedres Himeno Navaro, thotë se një nga pengesat për investitorët e huaj është ndryshimi i shpeshtë i ligjeve. Ata nuk mund të kapin këtë trend.
“Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve është një nga pengesat me të cilën ne investitorët e huaj po përballemi. Ne kërkojmë që kjo të bëhet në një formë më të parashikuar dhe para se të miratohen ligjet, qeveria do të duhet që të debatojë me përfaqësues të investitorëve të huaj, që të shihet qartë se si ato ndryshime do të ndikojnë në punën tonë”- deklaroi kryetari i Këshillit të Investitorëve të Huaj, Huan Pedres Himeno Navaro.
Por, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski dhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, theksuan se Maqedonia ka miratuar më shumë ligje për faktin e përputhjes së legjislaturës së vendit me atë evropiane.
“Për qeverinë kjo nuk është argëtuese që nga dita në ditë t’i ndryshojë ligjet, por thjesht këmbëngulet që të krijohet një sistem sa më i barabartë, sa më i përparuar dhe thjesht të jetë më i mirë për të gjithë në shtet, e jo vetëm për grupe të caktuara”- tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski.
“Tendenca dhe ideja është që duke sjellë ligje të reja dhe duke lehtësuar d.m.th. regjistrimin, prej fillimit të regjistrimit të kompanive ne si qeveri, por edhe si ministri e Ekonomisë është që të thithim sa më tepër investime të huaja dhe rritjen e trendit të investimeve të huaja në vend”- theksoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Nëse bëjmë krahasim të dy viteve të fundit me vitin 2012, Maqedonia shënoi lëvizje pozitive në thithjen e investimeve të huaja. Investimet direkte nga jashtë shënuan 251, 5 milionë euro, që është për 181, 5% më shumë se 2012-ta.
MERAL ISMAILI
