BE ia tërheq vërejtjen Serbisë: Mos i madhëroni kriminelët e luftës
Bashkimi Evropian ua tërhoqi vërejtjen liderëve politikë dhe fetarë në Serbi...

Bashkimi Evropian ua tërhoqi vërejtjen liderëve politikë dhe fetarë në Serbi që të mos i madhërojnë, kriminelët e luftës. Reagimi vjen pas lajmit se Kisha Ortodokse Serbe dekoroi Vojisllav Sheshelin - i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.
“Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, për gazetarët në Bruksel.
“Qëndrimi i BE-së është i qartë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm dhe madhërim të kriminelëve të luftës - gjëra që janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane”, tha Pisonero.
Ajo shtoi se nga udhëheqësit fetarë pritet që të punojnë drejt pajtimit dhe tejkalimit të ndasive nga e kaluara.
“Prijësit fetarë dhe bashkësitë fetare kanë, po ashtu, përgjegjësi që të dëshmojnë lidership në përpjekjet për tejkalimin e trashëgimisë së vështirë nga e kaluara, si dhe të ndërtojnë në mënyrë konstruktive mirëbesim të ndërsjellë, tolerancë dhe dialog”, tha Pisonero.
Sheshelit iu dha urdhri “Ipeshkvi i Shenjtë Mardari” nga një dioqezë e Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka selinë në Çikago. Çmimi iu dorëzua të dielën nga peshkopi Irinej i Baçkës, njoftoi Partia Radikale Serbe e Sheshlit. Kjo është hera e tretë që Kisha Ortodokse Serbe i ndan çmime Sheshelit.
