Botë

Minatorët: “Trepça” të shndërrohet në ndërmarrje publike

20.01.2015 17:21

Minatorët e Minierës “Trepça” në Kosovës kanë hyrë në grevë pas tërheqjes së qeverisë nga propozimi fillestar për të shndërruar këtë minierë në ndërmarrje publike...

Të vendosur të vazhdojnë grevën, ata kërkojnë prej zyrtarëve më të lartë të Shtetit të Kosovës që t’u garantojnë se brenda 24 orëve “Trepça” me ligj do të shndërrohet në ndërmarrje publike. 
 
Minatorët e Minierës së Santergut i ka vizituar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, drejtori-menaxhues i “Trepçës”, Ahmet Tmava, dhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.
 
Minatorët rreth 300 në numër iu kanë bërë të qartë atyre se janë të vendosur të vazhdojnë grevën derisa dikush prej qeverisë t’i vizitojë dhe të garantojë për kërkesën e tyre të vetme, e cila është që brenda 24 orëve Parlamenti i Kosovës të marrë vendim për ligjin mbi “Trepçën”, e cila e shndërron atë në ndërmarrje publike. 
 
Kuvendi i Kosovës vetëm me votat e pozitës aprovoi Ligjin për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, i cili vetëm parandalon likuidimin dhe falimentimin e “Trepçës”, por nuk përcakton pronësinë. 
 
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe kryeministri, Isa Mustafa, kanë shprehur gatishmërinë që të takojnë minatorët, ndërsa në një komunikatë të qeverisë thuhet se kombinati “Trepça” vazhdon të jetë pasuri me të cilën do të udhëheqin institucionet e Kosovës, ashtu siç parashihet me ligj.
 
“Trepça është pasuri e Kosovës, është organizatë në territorin e Republikës së Kosovës, prandaj me këtë kombinat do të udhëheqin institucionet e Republikës së Kosovës, të parapara me ligj, në interes të punonjësve të “Trepçës” dhe të ekonomisë së Kosovës”- thuhet në një njoftim për media të Qeverisë së Kosovë, duke mohuar zërat se tërheqja nga propozimi fillestar ka të bëjë me reagimet e Serbisë.