Nisma e VMRO-së për referendum, pritet qëndrimi i kryetarit të Kuvendit
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi....

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ende nuk është deklaruar në lidhje me iniciativën e VMRO-DPMNE-së për referendum, për shfuqizimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë.
Kabineti i kryetarit të Kuvendit informon se ende nuk ka një qëndrim për t’ia kumtuar opinionit.
“Të nderuar, ende nuk kam informata nga ana e kryetarit në lidhje me iniciativën. Sa po të marrë informacion, menjëherë do t’ju informojë.”, – thonë nga kabineti i Xhaferit.
Konformë Rregullores për Punë të Kuvendit, Kryetari i Kuvendit pas marrjes së propozimit për ngritjen e nismës qytetare për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror menjëherë ia dërgon kryetarit të Komisionit Juridiko-Ligjvënës dhe kryetarit të trupit punues amë, të cilët në afat prej dy ditësh pune, Kryetarit të Kuvendit i paraqesin mendim për rregullsinë e iniciativës.
Nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se nisma është në rregull, për këtë e njofton propozuesin e autorizuar, në afat prej tri ditësh nga marrja e mendimit nga trupat punues, në të kundërtën, çështjen në lidhje me nismën e vë në rendin e ditës në seancën e parë të radhës së Kuvendit, i cili me konkluzion konstaton rregullshmërinë e nismës.
Ndërkaq, Neni 73 i Kushtetutës thotë se Kuvendi e ka për detyrë të shpallë referendum kur propozim do të paraqesin së paku 150.000 zgjedhës. Vendimi i miratuar në referendum është i detyrueshëm. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
