Kumanovë, “interesim i ulët për t’u vaksinuar me vaksinat anti-Kovid”

13.09.2022 16:12

Për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar....

Për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar, kur në pikat për vaksinim anti-Kovid në Kumanovë, pritej në radhë të gjata, tani kemi situatë krejtësisht tjetër, me interesim tejet të ulët.

Sa për ilustrim, në pikën e vaksinimit kundër Covid-19, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, kohëve të fundit po vërehet numër tepër i vogël i qytetarëve për vaksinim, madje shifrat mezi arrijnë deri në 10 të interesuar në ditë, ndonëse kjo pikë vaksinimi disponon me të gjitha kapacitetet, si me vaksina ashtu edhe me personel mjekësor.

“Me uljen e numrit të pacientëve të hospitalizuar në klinikën infektive por edhe me uljen e personave të infektuar me Covid-19, shohim se dinamika e vaksinimit është ulur, andaj pacientët janë gjithnjë e më pak të interesuar për të pranuar dozën e tretë apo të katërt, nga ana tjetër kemi edhe numër të lartë të atyre që nuk e kanë pranuar as dozën e parë. Si personel mjekësor jemi të gatshëm dhe të organizuar që të presim çdo ditë qytetarët të vaksinohen, pasi  që vaksinimi është metoda më efektive dhe mjeti më kryesorë për parandalimin dhe t’i kthehemi jetës normale.”,- tha mes tjerash doktoresha Kaltrina Sulejmani nga ISHP “Shtëpia e Shëndetit”, Kumanovë.

Sa i përket të interesuarve për vaksinim me vaksinat anti COVID-19, rritje vërehet tek qytetarët e moshës mbi 60 vjeç të cilët po marrin dozën e tretë apo edhe të katërt.

“Interesimi i qytetarëve për dozën e tretë dhe të katërt, është tek ata të cilët kanë ndonjë sëmundje shoqëruese, tek ata mbi 60 vjeç apo tek disa persona që jetojnë në bashkësi dhe kanë ndonjë familjare shtatzënë e që dëshirojnë të mbrojnë veten dhe të tjerët.”,- tha mes tjerash doktoresha Kaltrina Sulejmani.

Pika e vaksinimit në “Lagjen e trimave“  punon me dy turne edhe atë çdo ditë pune nga ora 7 deri në ora 19:00.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë së Virusit Korona, në rajonin e Kumanovës janë vaksinuar mbi 130 mijë qytetarë qoftë me dozën e pare, dytë, apo të katërt. (Fatlum Aqifi, TVM2)