Maqedoni

Në disa shkolla nuk kishte mësim

20.01.2015 17:29

Klasa dhe korridore të zbrazëta, në hyrje të të cilave janë ngjitur njoftimet “mbahet grevë”. Kjo është pasqyra që regjistroi TVM2 në teren...

Në një numër të konsiderueshëm të shkollave në Komunën e Çairit po zbatohet vendimi i SASHK-ut për të mbajtur grevën.
 
Arsimtarët janë decid, thonë se grevë do të ketë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ndërsa në Shkollat “Jashar Bej Shkupi” dhe “Hasan Prishtina” mësimi po zhvillohet.      
                       
Mbajtjes së grevës iu përgjigjën pozitivisht arsimtarët e Shkollës Fillore “Liria”, “Ismail Qemali” dhe “Shtatë Marsi” në Çair, si dhe “Petar Zdravkovski Penko” në Komunën e Butelit.
 
Greva do të zgjasë deri ne realizimin e kërkesave, thonë përfaqësuesit e sindikatave. Ndërsa ka edhe arsimtarë të cilët nuk e mbështesin grevën.   
 
“Shkolla jonë është e zbrazët për shkak se i realizojmë vendimet e SASHK-ut për grevë deri më 31 dhjetor që ishte propozimi”- tha mësuesi i ShF “Liria”, Ismet Jakupi.     
 
“Do të vazhdojmë deri sa të realizohen kërkesat tona, mjaft më shkelën dinjitetin tonë, me ankesa, me fikë, me dënime na sollën në këtë shkallë, të jemi në grevë”- u shpreh mësuesja në ShF “Liria”, Teuta Ramadani.                  
             
“Nxënësit veç më kanë shkuar, ne jemi të gjithë këtu dhe greva do vazhdojë deri sa të plotësohen kushtet”- deklaroi kryetari i Sindikatës në “Ismail Qemali”, Faton Cico.      
 
Nga Gjimnazi “Zef Lush Marku” thonë se të gjithë profesorët janë përfshirë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
 
“Ne do të vazhdojmë, se kërkesat janë shumë modeste, këto janë kontratat kolektive, nuk është plotësuar dënimi i arsimtarëve, është i padrejtë, vetëm këtu janë dënuar 24 profesorë që punojnë 35 vite dhe janë të dëshmuar në punën e tyre”- tha përfaqësuesi i Sindikatës në ZLM, Ruzhdi Ibrahimi.            
                     
Ndërkohë, nxënësit e ShF “Petar Zdravkovki Penko” thonë se janë paraqitur në shkollë, por janë informuar se mësimi nuk zhvillohet.  
 
“Arsimtarët nuk ishin, vetëm ora e parë u mbajt dhe pastaj na lëshuan në shtëpi”- u shpreh një nxënës.      
           
“Erdhi një arsimtar dhe na tha kush dëshiron të shkojë në shtëpi le të shkojë, disa shkuan, disa janë këtu, për momentin nuk po zhvillohet mësimi”- tha një nxënëse.    
   
Ndërkohë, Shkollat Fillore “Hasan Prishtina” dhe “Jashar Bej Shkupi” nuk iu bashkëngjitën grevës, por arsimtarët nuk deshën të prononcohen para kamerës sonë.              
                               
“Unë jam nxënës i Shkollës “Hasan Prishtina”, të gjithë orët i kemi mbajt me rregull”- theksoi një nxënës.              
 
“Jam në shkollën “Jashar Bej Shkupi”, klasa e katërt dhe i kemi mbajtur të gjitha orët”- potencoi një nxënës.
 
Grevës së paralajmëruar nga SASHK-u iu përgjigjen pozitivisht pjesa dërmuese e shkollave në Komunë të Kumanovës, Strugës, Tetovës, Dibrës, Likovës, Staro Nagoriçanes, Kratovës, Strumicës, ndërsa në Ohër, Mavrovë, Koçan, Vinicë mësimi zhvillohet me rregull.
 
“Plotësisht greva po realizohet në Likovë dhe Kumanovë dhe në Pallankë është pjesërisht duke u realizuar”- deklaroi kryetari i SASHK-ut në Kumanovë, Selajdin Demiri.
 
“Gjimnazi i Dibrës e përkrah plotësisht grevën dhe do qëndrojmë deri në fund në realizimin e kërkesave tona”- tha kryetarja e Sindikatës në Dibër, Dashmire Spahiu.
 
SASHK-u përmes grevës kërkon rritjen e pagave mujore, anulimin e gjobave për mësuesit pas testimin ekstern, si dhe thjeshtëzimin e punës administrative.
 
FLUTURA LATIFI