Maqedoni
LSDM, mbështetje qëndrimit të Xhaferit
13.09.2022 20:55
LSDM e mbështet vendimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për ta refuzuar nismën e VMRO-DPMNE-së...

LSDM e mbështet vendimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për ta refuzuar nismën e VMRO-DPMNE-së për shpalljen e referendumit, për shkak se, siç thonë nga partia, është jokushtetuese sepse konform Kushtetutës, një marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të anulohet me ligj.
Marrëveshjen mund ta prish vetëm ai që e ka nënshkruar, në këtë rast Qeveria dhe për këtë duhet të njoftohet pala tjetër. Nëse VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet dhe formon Qeveri, atëherë mund ta ndërpresë Marrëveshjen. Kjo iniciativë, sipas LSDM-së, është vetëm një tentativë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kryesisë së ngushtë partiake për t’u fshehur pas popullit dhe për të shpëtuar ulëset e tyre në parti.
“Pas të gjitha konsultimeve me ekspertë që kemi pasur në periudhën e kaluar, ne pretendojmë se kjo nuk është kushtetuese. Ne në të kaluarën, në vitin 2018, e kemi miratuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. I tillë është ligji që kemi miratuar. Sipas nenit 118 të Kushtetutës, ligji për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk mund të anulohet me ligj. Në nenin 13 paragrafi 3 i Marrëveshjes thuhet se ai që e ka nënshkruar, në rastin e Qeverisë, mund ta ndërpresë dhe për këtë ta njoftojë palën tjetër”, theksoi, koordinatori i LSDM-së Jovan Mitreski.
Por, siç tha ai, qëllimi i nismës së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së nuk është ndërprerja e marrëveshjes, por fshehja e saj pas popullit.
