Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, tre deputetë të BDI-së kundër
20.01.2015 17:48
Kuvendi filloi diskutimin për miratimin final të propozim-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese...

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, arsyetoi edhe njëherë para deputetëve nevojën për ndryshimet e propozuara të kushtetutës, duke theksuar se ato po bëhen pas debateve publike të organizuara në të gjitha universitetet në vend dhe në Akademinë e Shkencave dhe Arteve.
“Ministria e Drejtësisë ka bërë çmos që amendamentet kushtetuese në parim t’i harmonizojë me vërejtjet e Komisionit të Venecias dhe Komisionit Evropian. Dhe besoj se ja kemi arritur qëllimit edhe pse ndoshta në amendamente të caktuara, për shkak të trajtimit juridiko-formal, janë bërë lëshime të caktuar”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Ndryshimet kushtetuese nuk do të mbështeten nga PDSH-ja dhe deputetët e opozitës maqedonase. Deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliji, deklaroi se ndryshimet kushtetuese nuk aprovohen me konsensus të plotë etnik dhe politik në mes forcave më të mëdha politike në vend dhe i quajti si ndryshime antikushtetuese.
“Qytetarët, e në veçanti shqiptarët, kanë halle të tjera, varfëria, papunësia, mungesa e perspektivës, mungesa e lirisë, terri informativ, mungesa e drejtësisë, shtypja, kërcënimi, frikësimi, diskriminimi i përditshëm etnik dhe politik pa gjuhë të zyrtarizuar, pa flamur, aparteid ekonomik, diskriminim në arsim, kulturë, diskriminimi ka shkuar aq lart, saqë shqiptarët tanimë diskriminohen edhe për ajrin që e thithin”- tha deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliji.
Në mbrojtje të ndryshimeve të kushtetutës ka dalë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, i cili deklaroi se këto ndryshime janë të parat më serioze të cilat Maqedonia, kuvendi, qeveri dhe organet e tjera kompetentët i propozojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë presion të brendshëm apo ndërkombëtar.
“Qëllimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese është vendosja e standardeve më të larta kushtetuese, krijimi i kushteve më të mira plotësuese për zhvillim ekonomik, si dhe zgjerimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por, edhe forcimi i institucioneve tepër të rëndësishme, siç janë institucionet gjyqësore”- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Qeveria, në amendamentet e saj të propozuara në kushtetutë, ndër të tjera kërkon që të bëjë definimin kushtetues të martesës si bashkësi ekskluzivisht mes një burri dhe një gruaje, në Maqedoni të mund të formohet zonë ndërkombëtare financiare dhe të bëjë riemërimin e Bankës Popullore të Maqedonisë në Banka e Maqedonisë.
Por, për t’u miratuar këto propozim-amendamente duhet të sigurohen 2/3 e votave të deputetëve, duket e vështirë për t’u arritur, pasi tre deputetët e BDI-së, Zulfi Adili, Xhevat Ademi dhe Hazbi Lika në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë partiake kanë bërë të ditur se nuk do të përkrahin ndryshimet.
MEFAIL ISMAILI
