Maqedoni

Integrimet euroatlantike, perspektiva e RM-së prioritet gjatë kryesimit letonez

20.01.2015 18:05

Integrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike do të mbetet prioritet edhe gjatë kryesimit 6 mujor të Letonisë me Bashkimin Evropian...

Edhe përkundër kësaj, për ambasadorin e Letonisë, Albert Sarkanis, vendimi për Maqedoninë varet nga vullneti i 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
 
Maqedonia edhe më tej çështje kyçe të saj e ka gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen përfundimtare të kontestit me emrin që ka me palën greke.
 
Ambasadori letonez në Maqedoni, Albert Sarkanis, si çështje kyçe shtoi gjithashtu edhe  dialogun politik, gjyqësorin e pavarur dhe lirinë e mediave.
 
“Për sa i përket lirisë së mediave në përgjithësi, ne kemi shprehur shumë qartë qëndrimet në Raportin e Progresit dhe kemi shqetësime të shumta në këtë fushë, prandaj shpresoj që të ketë përmirësime sa më shpejtë”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, shprehu shqetësimin e tij për mungesën e opozitës në parlament, aq më tepër kur deputetët po diskutojnë për amendamente për ndryshimet kushtetuese dhe kjo, sipas tij, nuk është porosi e mirë për Brukselin zyrtar.
 
Ambasadori Orav e ka përmendur edhe vizitën që kah fundi i muajit shkurt do ta realizojë në Maqedoni komisari i ri për zgjerim, Johanes Han, duke shtuar se vizita e tij mund të mbetet pezull për aq kohë sa nuk i jepet fund ngërçit politik në Maqedoni.
 
“Për sa i përket komisionarit Han, ne po përgatisim vizitën e tij në Shkup në fund të shkurtit, por një nga çështjet kyçe që duhet të bëhet paraprakisht është pikërisht dialogu politik, sepse ne duhet të shohim të paktën fillim të dialogut politik, të gjitha palët, partitë janë të interesuar të zgjidhin problemin, sepse në një situatë kur opozita nuk është në parlament dhe po diskutohen amendamentet kushtetuese, kjo nuk është shenjë e mirë, pra ekziston nevoja që procesi të jetë gjithëpërfshirës”- tha Orav.
 
Ambasadori letonez kërkoi angazhim më të madh të faktorit politik në Maqedoni  për zgjidhjen e emrit, sepse Bashkimi Evropian nuk mund të zgjidhë problemet bilaterale. 
 
“Më shumë ide, më shumë energji dhe më shumë punë duhet në planin bilateral me Greqinë, jo vetëm në nivel të qeverive, por edhe shoqërisë civile. Madje, historianët e të dyja shteteve duhet të punojnë dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkët. Askush nga jashtë nuk do të vendos në tavolinë se si duhet të veproni. BE-ja nuk mund urdhërojë apo përmes ndonjë rregullative të zgjidhë çështjen, kjo çështje është bilaterale”- u shpreh ambasadori i Letonisë në Maqedoni, Albert Sarkanis.
 
Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike, por kërkon bashkëpunim dhe vullnet të ndërsjellë, me qëllim të realizimit të qëllimit përfundimtar, anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, thanë zyrtarët evropian.  
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI